Botë

Mbi 50 të vdekur nga nxehtësia brenda tri ditësh në Indi

Nxehtësia e madhe në Indi / Foto: AP

Nxehtësia e madhe në Indi / Foto: AP

Më shumë se 50 njerëz kanë vdekur në Indi gjatë tre ditëve të fundit, si pasojë e vapës së madhe që ka përfshirë disa pjesë të vendit, raportoi të hënën BBC-ja.

Rreth 33 persona vdiqën në shtetin verior të Uttar Pradeshit gjatë fundjavës për shkak të të nxehtit.

Ndërsa në Odisha, rreth 20 njerëz vdiqën për shkak të goditjes nga nxehtësia.

Shumë prej këtyre vdekjeve u raportuan më 1 qershor, ditën kur India votoi në fazën e fundit të zgjedhjeve të përgjithshme, ndërsa viktimat ishin kryesisht policë vullnetarë, zyrtarë të votimit, roje sigurie e staf sanitar. 

Rezultatet e zgjedhjeve pritet të shpallen më 4 qershor.

Çdo pesë vjet, India mban zgjedhjet e saj të përgjithshme në muajt e verës, prill dhe maj.

Ministria indiane e Shëndetësisë thotë se ka pasur të paktën 56 vdekje të konfirmuara nga goditjet e nxehtësisë nga 1 marsi deri më 30 maj. 

Qendra Kombëtare e Indisë për Kontrollin e Sëmundjeve i quan goditjet nga nxehtësia “gjendje kërcënuese për jetën" me një shkallë vdekshmërie prej 40-64%.