Një gjykatë në Turqi të mërkurën ka dënuar me burg pronarin dhe arkitektin e një hoteli që u shemb në tërmetin e vitit 2023, duke lënë të vdekur 72 persona.
Pronari i “Isias Grand”, Ahmet Bozkurt dhe arkitekti Erdem Yilmaz, kanë marrë dënim me burg 18 vjet e pesë muaj secili, njoftoi agjencia zyrtare e lajmeve Anadolu. Djali i Bozkurtit, Mehmet Fatih, u dënua me 17 vjet e katër muaj, thuhet në deklaratë.
Hoteli, në qytetin juglindor të Adiyamanit, në momentin kur ra tërmeti shkurtin e vitit të kaluar pati në dhoma një ekip shkolle volejbolli nga Qiproja veriore e kontrolluar nga Turqia dhe një grup turistikë.
Tre burrat u dënuan për “shkaktim të vdekjes ose lëndimit të më shumë se një personi nga pakujdesia e vetëdijshme”.
Kryeministri turk qipriot Unal Ustel ka thënë se dënimet ishin shumë të buta dhe se autoritetet do të apelonin.
“Pronarët e hoteleve nuk morën dënimin që prisnim. Por pavarësisht kësaj, të gjithë nga ata që janë përgjegjës në ndërtimin e hotelit deri te arkitekti u dënuan. Kjo na bëri pjesërisht të lumtur”, ka thënë Ustel.
Më shumë se 50 mijë njerëz vdiqën në Turqi dhe Siri nga tërmeti i 6 shkurtit 2023.
Rreth 160 mijë ndërtesa u shembën ose u dëmtuan rëndë, duke lënë 1.5 milionë njerëz të pastrehë.
Qeveria turke pati thënë disa javë më vonë se qindra njerëz ishin nën hetim dhe rreth 200 njerëz ishin arrestuar.