Uragani “Milton” hyri në Florida si stuhi e kategorisë së tretë, duke i dhënë goditjen e dytë brenda pak kohëve këtij vendi që u përballë me uraganit “Helene” pak më parë. Uragani goditi qytete me erëra deri 160 kilometra në orë, ndërsa shkaktoi edhe tornado, por Tampa u kursye nga një goditje e drejtpërdrejt, raporton agjencia “AP”.
Stuhia goditi të mërkurën mbrëma në Siesta Key pranë Sarasotas, rreth 112 kilometra në jug të Tampas.
Situata në zonën e Tampas ishte ende mjaft emergjente, pasi në St. Petersburg u regjistrua shi mbi 41 centimetra, duke shtyrë Shërbimin Kombëtar të Motit që të paralajmërojë për vërshime të shpejta atje, si dhe në pjesë tjetra perëndimore e qendrore të Floridas.
Fusha “Tropicana”, që është shtëpi e skuadrës së bejsbollit Tampa Bay Rays në St. Petersburg, u duk se u dëmtua keq. Në video që kanë qarkulluar shihej çatia e arenës duke u shkatërruar. Nuk është e qartë nëse ka pasur dëmtime edhe brenda. Shumë vinça janë rrëzuar nga stuhia, ka thënë shërbimi i motit.
Banorët e St. Petersburg më nuk kanë ujë të pijshëm, sepse është dëmtuar furnizimi me ujë i qytetit.
Stuhia goditi edhe rrjetin energjetik në pjesë të mëdha të Floridas. Më shumë se 3 milionë shtëpi e biznese kanë mbetur pa rrymë që nga enjtja, sipas “po]eroutage.us”, që gjurmon raportet e shërbimeve.
Para se uragani “Milton” të godiste në tokë në Florda, nisën tornadot nëpër pjesë të ndryshme.
Veçanërisht u godit Fort Pierce, ku u shkatërruan shtëpi dhe disa banorë humbën jetën.
“Ne kemi humbur disa jetë”, ka thënë sherifi i qarkut St. Lucie, Keith Pearson për “WPBF News”.
Rreth 125 shtëpi u shkatërruan para se të godiste uragani, shumë prej tyre ishin shtëpi të lëvizshme në komunitetet për të moshuarit, ka thënë Kevin Guthrie, drejtor i Divisionit të Menaxhimit të Emergjencave në Florida.
Rreth 90 minuta pasi goditi në tokë, uragani “Milton” ra në stuhi të kategorisë së dytë.
Por, të enjten herët u ul në stuhi të kategorisë së parë, me shpejtësi maksimale të erërave 135 kilometra në orë dhe ishte rreth 55 kilometra në lindje të Orlandos.
Shirat e dendur pritet të shkaktojnë përmbytje përgjatë lumenjve e liqeneve në Florida.
Uragani pritet të largohet për në Oqeanin Atlantik të enjten.