Botë

Mbi 160 të vdekur në SHBA nga uragani Helene

Uragani Helene

Foto: Associated Press

Më shumë se 160 njerëz kanë mbetur të vdekur si pasojë e uraganit Helene, një nga stuhitë më vdekjeprurëse që ka goditur SHBA-në kohët e fundit.

Qindra të tjerë kanë mbetur të zhdukur pasi Helene goditi shtetet juglindore, duke shkaktuar përmbytje, duke shkatërruar komunitete dhe duke ndërprerë energjinë elektrike, raporton BBC.

Përpjekjet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë dhe dërgesat e ndihmave janë bërë kryesisht me avionë.

Qeveria e SHBA-së ka deklaruar se përpjekja për pastrim mund të zgjasë me vite.

Presidenti Joe Biden do të vizitojë Karolinën e Veriut të prekur keq të mërkurën, ndërsa zëvendëspresidentja Kamala Harris shkon në Gjeorgjinë fqinje.

Helene goditi SHBA-në të enjten si një uragan i kategorisë 4, duke shpërthyer në Florida përpara se të përshkonte shtetet fqinje dhe të zvogëlohej në një stuhi tropikale.

Shkalla e reve të shiut ishte e pazakontë dhe stuhia zgjati për periudha relativisht të gjata. Toka e ngopur nga reshjet e mëparshme ishte gjithashtu një faktor rëndues.

CBS News ka raportuar për 162 vdekje, të regjistruara në gjashtë shtete: Karolina e Veriut, Karolina e Jugut, Gjorgjia, Florida, Tenesi dhe Virxhinia.

Numri tejkalon atë të uraganit Ian, i cili në shtator 2022 u bë një tjetër nga stuhitë më vdekjeprurëse të shekullit të 21-të, duke marrë të paktën 156 jetë.