Botë

Mbi 1500 të burgosur arratisen në Mozambik

Trazira ne Mozambik

Foto: Getty Images

Mbi 1500 të burgosur kanë ikur nga një burg në Mozambik, duke shfrytëzuar trazirat politike nga të cilat është përfshirë vendi, ka njoftuar policia, raporton “BBC”. 

33 persona u vranë e 15 u lënduan në përleshje me gardianët, ka thënë në konferencë për media shefi i policisë Bernardino Rafael. 

Rafael ka thënë se 150 të burgosur janë kapur tashmë.

Trazirat në Mozambik u nxitën pas zgjedhjeve, rezultatet e të cilave u kontestuan. 

Protestat nisën të hënën si reagim ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Mozambikut që konfirmoi se partia Frelimo, që është në pushtet nga viti 1975, ka fituar zgjedhjet presidenciale të tetorit. 

Rafael ka thënë se protestuesit iu afruan burgut në kryeqendër Maputo të mërkurën. Të burgosurit shfrytëzuan rastin për të shembur muret dhe për të ikur, tha ai. 

Mozambiku është përfshirë nga trazirat që nga zgjedhjet e tetorit. Rezultatet zyrtare kanë treguar se kandidati i Frelimos për president, Daniel Chapo, ka fituar. 

Por, pati kontestime nga opozita. 

Fillimisht rezultatet në tetor treguan se Daniel Chapo ka fituar 71 vota, ndërsa rivali kryesor i tij Venancio Mondlane 20 për qind. Por, Gjykata në vendimin e të hënës tha se Chapo mori 65 për qind të votave e Mondlane 24 për qind.