Më shumë se 12,000 ndërtesa janë shkatërruar si pasojë e zjarreve që kanë nisur javën e kaluar në Los Angeles.
Numri i të vdekurve është 24, teksa mijëra të tjerë janë detyruar të zhvendosen, raporton AP.
Zjarret filluan më 7 janar, të nxitura nga erërat e forta të Santa Ana që kanë krijuar probleme për forcat e mëdha të zjarrfikësve të dislokuar në disa zona të qytetit.
Zjarrfikësit e Kalifornisë të njohur si “Cal Fire” raportuan se zjarret në Palisades, Eaton, Kenneth dhe Hurst kanë përfshirë rreth 163 kilometra katrorë hapësirë.
“Cal Fire” ka raportuar të martën se ka nën kontroll 17% të zjarrit në Palisades, dhe 35% të zjarrit në Eaton.
Zjarri Palisades, përgjatë bregdetit, raportohet të ketë shkaktuar tetë vdekje, ndërsa zjarri i Eaton më në brendësi të tokës ka shkaktuar 16 të tjera, sipas zyrës së ekzaminuesit mjekësor të LA County. Të paktën 23 persona janë të zhdukur.
Hetuesit janë ende duke u përpjekur për të përcaktuar se çfarë shkaktoi zjarret. Ato mund të jenë më të kushtueshmet e kombit ndonjëherë.
Agjencitë qeveritare nuk kanë dhënë ende vlerësime paraprake të dëmit, por “AccuWeather”, një kompani që ofron të dhëna për motin dhe ndikimin e tij, vlerëson dëmin dhe humbjet ekonomike në 250 deri në 275 miliardë dollarë.