Botë

Mbi 11.000 ushtarë verikoreanë dislokohen në Rusi

Ushtria verikoreane

Rreth 11.000 trupa ushtarake të Koresë së Veriut janë dislokuar në Kursk të Rusisë, kanë thënë të mërkurën autoritetet e Koresë së Jugut, ka raportuar BBC-ja.

Duke cituar Shërbimin Informativ Kombëtar, anëtari i komisionit të këtij autoriteti, Lee Seong-Kweun, ka thënë se trupat u zhvendosën në rajon në fund të tetorit pas përfundimit të trajnimit të përshtatjes me terrenin e Rusisë verilindore.

Ai ka shtuar se Koreja e Veriut ka dërguar gjithashtu furnizime shtesë ushtarake, duke përfshirë raketa të shumta dhe artileri me rreze të gjatë veprimi.

Kremlini dhe Pheniani nuk kanë reaguar deri më tani për këtë, ndonëse ka pasur raportime të shumta për marrëveshje mes dy shteteve.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) janë shprehur të shqetësuara për dërgimin e trupave verikoreane në territoret ruse për të luftuar ndaj Ukrainës.