Botë

Mbi 100 të vdekur pasi një cisternë benzine shpërtheu në Nigeri

Nigeri

Më shumë se 100 persona kanë mbetur të vdekur dhe 50 të tjerë të lënduar në Nigerinë veriperëndimore teksa po përpiqeshin të merrnin karburant nga një cisternë e përmbysur, e cila përmbante benzinë, duke bërë që automjeti të eksplodonte, kanë bërë të ditur shërbimet e urgjencës të mërkurën.

Aksidenti ndodhi në mesnatë në qytetin Majiya të shtetit Jigawa, pasi shoferi i cisternës humbi kontrollin e automjetit ndërsa po udhëtonte në një autostradë, ka thënë zëdhënësi i policisë lokale Lawan Adam, raporton AP.

Nëntëdhjetë e shtatë persona janë djegur deri në hi në vendngjarje, ndërsa tetë të tjerë vdiqën në spital, ka bërë të ditur për Associated Press Dr. Haruna Mairiga, kreu i Agjencisë Shtetërore të Menaxhimit të Emergjencave në Jigawa.

Aksidentet vdekjeprurëse të cisternave janë të zakonshme në Nigeri, vendi më i populluar i Afrikës, ku rregulloret e trafikut nuk zbatohen rreptësishtë në shumë vende, dhe ka mungesë të alternativave për transportin e mallrave.

Është gjithashtu e zakonshme që njerëzit të ruajnë karburantin me gota dhe kova për ta marrë në shtëpi pas aksidenteve të tilla. Kjo praktikë është bërë më e zakonshme për shkak të çmimeve të larta të karburantit në Nigeri, të cilat janë trefishuar që nga fillimi i vitit të kaluar pasi Nigeria i dha fund subvencioneve të kushtueshme të gazit.