Sulmi në Moskë

Mbesin në gjendje të rëndë 22 të plagosur

Sulmi në Moskë

Njëzet e dy të plagosur nga sulmi në sallën e koncerteve në Moskë, vazhdojnë të jenë në gjendje të rëndë shëndetësore, ka bërë të ditur ministri rus i Shëndetësisë, Mikhail Murashko të martën.

Dy prej tyre, sipas tij, janë fëmijë, raportoi AP.

Rusia është ende duke u marrë me sulmin që ka ndodhur të premten, kur disa sulmues vranë 139 njerëz në një sallë koncerti. Presidenti rus, Vladimir Putin ka thënë të hënën se sulmuesit janë “islamistë radikalë”. Mirëpo, pavarësisht se Shteti Islamik e ka marrë përgjegjësinë e sulmit, Putini e ka ripërsëritur akuzën e tij se Ukraina mund të ketë pasur gisht në sulm.

Kievi e ka mohuar fuqishëm se ka të bëjë me sulmin.

Katër burra të akuzuar për kryerjen e sulmit dolën para një gjykate në Moskë të dielën me akuza për terrorizëm. Ata u shfaqën me shenja të rrahjeve të rënda.

Katër të dyshuarit janë qytetarë të Taxhikistani, kanë thënë autoritetet. Ata janë: Dalerdzhon Mirzoyev, 32 vjeç, Saidakrami Rachabalizoda, 30, Shamsidin Fariduni, 25, and Mukhammadsobir Faizov, 19.