Qytetarwt gjermanë në shtetin e Brandenburgut po votojnë në zgjedhjet rajonale të dielën, teksa Alternativa e ekstremit të djathtë për Gjermaninë (AfD) pritet të përfundojë e para, duke u mbështetur në sukseset në shtetet e tjera lindore, dhe duke mposhtur socialdemokratët e kancelarit Olaf Scholz në një nga bastionet e tyre tradicionale.
AfD u bë partia e parë e ekstremit të djathtë që fitoi zgjedhjet shtetërore në Gjermani që nga Lufta e Dytë Botërore, në Turingen më 1 shtator, raporton Reuters.
Megjithatë, partitë e tjera refuzojnë të punojnë me AfD-në pwr qeverinw e koalicionit, dhe duke qenë se ajo nuk fitoi shumicën në Turingen apo Saksoni dhe nuk ka gjasa ta bëjë këtë as në Brandenburg, partia nuk është e vendosur të jetë pjesë e një qeverie rajonale.
AfD është një nga disa grupe të së djathtës ekstreme në Evropë që përfiton nga shqetësimet për një ngadalësim ekonomik, imigracionin dhe luftën në Ukrainë, shqetësime që janë veçanërisht të forta në
Gjermaninë lindore ish-komuniste. Ajo po kërkon gjithashtu të përfitojë nga përleshjet e brendshme në koalicionin federal trepartiak të Scholzit.
Vendvotimet mbyllen në Brandenburg në orën 18:00 dhe exit pollet e para dhe parashikimet paraprake do të shpallen sapo të përfundojë votimi.
Hans-Christoph Berndt, kandidati i AfD për kryeministër të shtetit të Brandenburgut, hodhi votën e tij në qytetin Golssen, në jug të Berlinit, duke shprehur optimizëm për perspektivat e partisë së tij në krahasim me zgjedhjet e fundit shtetërore në 2019.
Një fitore e AfD-së në zgjedhjet shtetërore do të ishte e vështirë për Social Demokratët (SPD), e cila ka fituar zgjedhjet në Brandenburg dhe ka qeverisur shtetin prej 2.5 milionë banorësh që kur Gjermania Lindore dhe Perëndimore u ribashkuan në vitin 1990.