Botë

Mashtrimet e agjencive të birësimit tronditin familjet amerikane

Peg Reif

Peg Reif me fotografitë e fëmijëve të saj të birësuar nga Koreja e Jugut në vitet ‘80

Foto: Associated Press

Hamilton donte të mësonte historinë e vet, në mënyrë që fëmijët e saj të dinin të tyren. Ajo i shkroi një letër agjencisë së birësimeve, e cila brenda javësh e lidhi atë me një grua që ata thanë se ishte nëna e saj. Ishte emocionuese, tronditëse. Por shpejt ajo ndjeu sikur kishte më shumë pyetje sesa përgjigje. Emri i gruas nuk përputhej me atë të renditur në dokumente, dhe emri që ajo i dha babait ishte gjithashtu i ndryshëm. Datat e lindjes nuk përputheshin, as vendlindja. Ata nuk ishin takuar në një fabrikë, tha ajo, ata kishin qenë shokë klase.

Frika e saj më e madhe, që nuk ishte zgjuar për dekada, u kthye në një çast: a kishte adoptuar dhe rritur një fëmijë të rrëmbyer?

Vajza e Peg Reifit, e birësuar nga Koreja e Jugut në vitet '80, i kishte dërguar asaj një vjegëz të një dokumentari që tregonte se si sistemi bëri që familja e tyre të ishte e mbushur me mashtrime: dokumente të falsifikuara, foshnja të ndërruara, fëmijë të rrëmbyer nga rruga dhe të dërguar jashtë vendit.

Reif dënesi. 

Ajo ishte ndër më shumë se 120 personat që kontaktuan agjencinë e lajmeve Associated Press këtë vjeshtë, pasi një seri historish dhe një dokumentar i realizuar me Frontline ekspozoi se si Koreja krijoi një linjë, të projektuar për të dërguar fëmijët jashtë vendit sa më shpejt të jetë e mundur për të përmbushur kërkesat perëndimore. Raportimi tronditi komunitetet që merren me birësime në mbarë botën me detaje rreth mënyrës se si agjencitë konkurronin për foshnjat - duke u bërë presion nënave, duke dhënë ryshfet për spitalet e duke falsifikuar dokumente. Shumica e atyre që shkruanin ishin të birësuar, por disa ishin prindër birësues si Reif, të tmerruar kur mësuan se e kishin mbështetur këtë sistem.

“Vetëm mendimi se dikush humbi fëmijën e vet më tmerron”, u shpreh Reif. “Nuk mund të ndalem së menduari për të. Nuk di si ta rregulloj këtë punë. Nuk e di nëse mundem”.

Realizimi i ëndrrës

Dyzet vjet më parë, po përballej me infertilitetin. Ajo dhe bashkëshorti i saj mbështetën ëndrrat e tyre për një familje në adoptimin e një fëmije nga Meksika, paguan një agjenci mijëra dollarë dhe pritën me muaj të tërë. Më pas drejtorët e agjencisë u arrestuan dhe mësuan se ato foshnja meksikane ishin marrë nga familjet e tyre kundër dëshirës së tyre. Reif ishte shumë e mërzitur, por kujton edhe tani duke parë burrin e saj dhe duke thënë: “Falë Zotit që nuk kemi një fëmijë të vjedhur”.

Por tani ajo nuk është e sigurt për këtë. Sepse më pas adoptuan dy fëmijë koreanë dhe i sollën në shtëpinë e tyre në fshatin Wisconsin, fillimisht një djalë dhe më pas një vajzë. Nuk ishin vëlla e motër biologjikisht, por të dy mbërritën me histori çuditërisht të ngjashme në dosjet e tyre: nënat e tyre të reja të pamartuara punonin në fabrika me baballarë që u zhdukën pasi mbetën shtatzënë.
Në atë kohë, Reif ende besonte në tregimin e zakonshëm për birësimin e huaj: shpëtoi fëmijë që përndryshe mund të jetonin pjesën tjetër të jetës së tyre në një jetimore, të vdisnin ose të dënoheshin në varfëri.

“Nuk e besoj më këtë”, tha Reif. “Nuk e di se çfarë të besoj”.

Cameron Lee Small, terapist në “Minneapolis”, puna e të cilit është të kujdeset për të birësuarit dhe familjet e tyre, tha se shumë po përjetojnë një ndjenjë të fortë tradhtie. Të birësuarit individualë kishin ndarë histori me identitete të falsifikuara qysh moti. Por zbulimet e këtij viti vunë në dukje praktikat e sistemit që ndryshonin në mënyrë rutinore historitë e origjinës së foshnjave për të realizuar shpejt birësimet, duke përfshirë renditjen e tyre si “të braktisura” edhe kur diheshin prindërit e tyre. 
Small, i cili gjithashtu u birësua nga Koreja në vitet '80, përmblodhi atë që po dëgjonte nga të birësuarit: “Jam shndërruar në asgjë. Çfarë besoj tani? Kujt mund t’i besoj?”.

Vajza e Reifit, Jenn Hamilton, e kaloi jetën duke menduar se ajo ishte e padëshiruar, shpesh duke u tallur: “Kjo është ajo që ndodh kur gjen një fëmijë në kosh mbeturinash”. 

Kjo i ka ndikuar tërë jetën. Ka 9 vjet që është e martuar e lumtur, tha ajo, por ka këtë pasiguri të pangopur: “Unë e gjej vazhdimisht veten duke e pyetur burrin tim, ‘a je inatosur me mua? A bëra diçka të gabuar?’ A dëshiron të më braktisësh?’”

Ajo nuk e ka më asnjë ide nëse braktisja ka qenë ndonjëherë historia e saj, me zbulimet e abuzimeve kaq sistematike saqë edhe qeveria koreane e krahasoi atë me “trafikim”.

“Nuk mund të bësh kaq shumë gabime. Duhet të jetë e qëllimshme. Ishte kjo pemë e madhe e mashtrimit”,  tha ajo. “Ndihem e neveritur”.

Holt International, agjencia me bazë në SHBA që ishte pioniere e birësimeve nga Koreja, nuk iu përgjigj kërkesave për koment për këtë histori.

Raportimet po përhapen në të gjithë Evropën - vendet kanë nisur hetimet, kanë ndaluar birësimet e huaja dhe kanë kërkuar falje ndaj të adoptuarve për dështimin në mbrojtjen e tyre. Por Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë marrë deri tani numrin më të madh të fëmijëve të birësuar, nuk kanë bërë një rishikim të historisë apo fajit të institucioneve.

... askush nuk e di me të vërtetë se cila është e vërteta

Departamenti Amerikan i Shtetit i tha AP-së këtë verë se do të punësonte historianin e agjencisë për t’i bërë bashkë copëzat e historisë dhe për t’u marrë me gjetjet fillestare  të detajuara sa u përket disa dokumenteve që mund të ishin falsifikuar.

Por tha se nuk kishte prova që zyrtarët amerikanë ishin në dijeni të kësaj. Departamenti i Shtetit ka thënë se që atëherë “nuk ka qenë në gjendje të identifikojë ndonjë të dhënë që mund të sigurojë njohuri mbi rolin e qeverisë së SHBA-së në birësimet nga Koreja e Jugut në vitet '70 dhe '80”.
Autoritetet e Koresë kanë konfirmuar një rritje të numrit të të adoptuarve që po regjistrojnë ADN-në e tyre për kontrolle familjare - si në stacionet e policisë vendase ashtu edhe në zyrat diplomatike të vendit në Amerikën e Veriut dhe Evropë. Krejt kjo erdhi në javët pas publikimit të tregimeve dhe dokumentarit të AP-së në shtator të vitit të kaluar. Më shumë se 120 të adoptuar regjistruan ADN-në e tyre në tetor dhe nëntor, krahasuar me një mesatare prej më pak se 30 në muaj nga janari në gusht.
Qeveria e Koresë ka pohuar se birësimet ishin një mjet i nevojshëm për t'u kujdesur për fëmijët në nevojë, duke përfshirë foshnjat e nënave të pamartuara ose fëmijë të tjerë që konsiderohen si të braktisur. Megjithatë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies së Koresë pranoi për AP-në se bumi i birësimeve në vitet 1970 dhe 80 ndoshta ishte nxitur nga një dëshirë për të ulur koston e mirëqenies.
Komisioni i së Vërtetës dhe i Pajtimit i Koresë ka hetuar përgjegjshmërinë e qeverisë për problemet e birësimeve të huaja që nga viti 2022, i nxitur nga ankesat e paraqitura nga qindra të adoptuar dhe pritet të publikojë një raport të përkohshëm në shkurt. Komisioni ka postuar historitë e AP-së në faqen e tij të internetit.

Një ligj i miratuar në vitin 2023 e mandaton Komisionin që të gjitha të dhënat e birësimeve të transferohen nga agjencitë private në një departament qeveritar të quajtur Qendra Kombëtare për të Drejtat e Fëmijëve deri në korrik, për të centralizuar trajtimin e kërkesave për kërkimin e familjes. Qendra ka konfirmuar se agjencitë private mbajnë rreth 170 mijë dosje birësimi, por drejtori Chung Ick-Joong dyshon se do të ketë hapësirë për të ruajtur dhe menaxhuar të gjitha këto të dhëna në kohë, për shkak të kufizimeve financiare dhe sfidave të tjera. Agjencia pret që kërkesat për kërkim familjar të rriten në mënyrë dramatike – “ndoshta 10-fish”, sipas Chungut.

Ai e ka pranuar se të metat në ligjet e birësimit kishin vazhduar për dekada, dhe Koreja kërkonte vetëm që birësimet të kalonin nëpër gjykata dhe të ruheshin të dhënat e lindjes pas vitit 2012.

“Është e vështirë të përcaktohet se kush është përgjegjës për pasaktësitë në të dhënat para asaj kohe”, tha ai. “Agjencia e birësimit mund të ketë pasur faj, prindërit biologjikë mund të kenë gënjyer, ose diçka mund të ketë shkuar keq në jetimore….askush nuk e di me të vërtetë se cila është e vërteta”.
Agjencitë koreane të adoptimit kanë refuzuar kryesisht kërkesat e AP-së për koment në muajt e fundit, duke përmendur shpesh shqetësimet rreth privatësisë.

Hamilton u rrit në një komunitet rural, pothuajse ekskluzivisht të bardhë në Wisconsin, dhe atëherë gjithçka që ajo donte ishte të pranohej në shoqëri. Por kur u bë vet nënë, gjithçka ndryshoi.

“Nuk mund ta shpjegoj, pasi ky është personi i parë që njoh në jetën time dhe me të cilin kam lidhje biologjike”,  tha ajo.

Enigmë që kthehet në obsesion

Ajo donte të mësonte historinë e saj, në mënyrë që fëmijët e saj të dinin të tyren. Ajo i shkroi një letër agjencisë së saj të birësimit, e cila brenda javësh e lidhi atë me një grua që ata thanë se ishte nëna e saj. Ishte emocionuese, tronditëse.

Por shpejt ajo ndjeu sikur kishte më shumë pyetje sesa përgjigje. Emri i gruas nuk përputhej me atë të renditur në dokumente, dhe emri që ajo i dha babait ishte gjithashtu i ndryshëm. Datat e lindjes nuk përputheshin, as vendlindja. Ata nuk ishin takuar në një fabrikë, tha ajo, ata kishin qenë shokë klase.
Hamilton i kërkoi gruas që të bënte një test të ADN-së, por ajo tha se nuk dinte si ta përdorte atë. Hamilton arriti të kuptojë se kjo grua nuk ishte nëna e saj biologjike.

“Kjo bëhet një obsesion”, tha Hamilton. “Është si një enigmë që e nisni dhe ju duhet të gjeni pjesët që mungojnë”.

Lynelle Long, themeluesja e InterCountry Adoptee Voices, organizata më e madhe e të adoptuarve në botë, tha se qeveritë së paku duhet të mandatojnë ligjërisht që agjencitë t'u ofrojnë të adoptuarve dokumentet e tyre të plota dhe të paprekura, pa pagesën që kërkohet tani.

Long tha se prindërit si Reif kanë një rol të rëndësishëm, sepse në vendet perëndimore, ligjet gjithmonë favorizonin dëshirat e prindërve birësues – të krijuara për t'i bërë birësimet më të shpejta dhe më të lehta.

Hamilton është e afërt me prindërit e saj; ajo sapo rinovoi bodrumin për ta, kur të vijnë në vizitë. Ajo thotë se është e trishtuar për veten. Por është më e trishtuar për nënën e saj, e cila tash dëshiron të mësojë nëse fëmijët e saj kishin vërtet prindër diku, duke i kërkuar ata.

“E pyes pse dëshiron ta dijë edhe ajo, a do të më kthesh atje”, thotë Hamilton. “Nuk dua të jem viktima këtu”. 

Ajo tha se është e lumtur që u adoptua dhe se nuk e dëshiron shumë atë jetë të ndryshme, alternative në Kore.

Reif thotë se i do fëmijët e saj me zemër. Por ajo nuk mendon se do të birësonte përsëri nga jashtë, duke i ditur gjërat që i di tani. 

“Më mirë të jem pa fëmijë sesa të mendoj se kam fëmijën e dikujt tjetër që nuk donte të hiqte dorë prej tij”, tha ajo.