Muaji mars është regjistruar si më i ngrohti ndonjëherë, sipas të dhënave të publikuara muajin e kaluar, raporton BBC.
Marsi i vitit 2024 ishte 1.68 gradë Celsius më i ngrohtë, sipas Shërbimit të Ndryshimeve Klimatike të BE-së, Copernicus.
Ky rekord temperature ka nxitur shqetësime mes disave se bota po hyn në një fazë të re të ndryshimit edhe më të shpejtë të klimës.
Por, tani për tani, tendencat afatgjata të ngrohjes janë ende pak a shumë në përputhje me pritjet dhe shumica e studiuesve nuk besojnë ende se klima ka hyrë në një fazë të re.
“El Nino”, fenomeni i motit i shënuar nga ngrohja në Oqeanin Paqësor, i cili filloi qershorin e kaluar dhe arriti kulmin në dhjetor, i ka shtuar nxehtësinë atmosferës si pasojë e djegies së lëndëve fosile, që është edhe nxitësi kryesor i temperaturave të larta.
Por, temperaturat filluan të thyejnë rekorde me një diferencë veçanërisht të madhe rreth shtatorit të kaluar, dhe në atë kohë, “El Nino” ishte ende në zhvillim, kështu që nuk mund të shpjegohet gjithë ngrohtësia shtesë.
“El Nino-ja” aktuale tani po zbehet dhe ka të ngjarë të përfundojë në dy muajt e ardhshëm.
Shkencëtarët nuk janë të sigurt saktësisht se si do të evoluojnë kushtet në Paqësor, por parashikimet aktuale sugjerojnë se “El Nino-ja” mund të zëvendësohet nga një fazë e plotë e ftohtë “La Nina” më vonë këtë vit.
Ftohja e sipërfaqes së detit normalisht do të shkaktonte një rënie të përkohshme të temperaturave globale të ajrit, por mbetet për t’u parë se si do të evoluojë kjo.
Shkencëtarët janë të sigurt për një gjë: mënyra e duhur për të ndaluar ngrohjen e botës është reduktimi i shpejtë i emetimeve të gazrave që ngrohin planetin.