Bisedimet për ta arritur një marrëveshje mes Izraelit e Hamasit për armëpushim në Gaza dhe lirim të pengjeve janë 90 për qind të kryera, por mbesin disa çështje kyçe për t’u dakorduar, ka thënë një zyrtar palestinez i përfshirë në këto bisedime, raporton “BBC”.
Një nga çështjet vazhdon të mbetet prezenca ushtarake e Izraelit në korridorin Philadelphi, një pjesë e rëndësishme strategjike në jug të Gazës përgjatë kufirit me Egjiptin.
Zyrtari palestinez ka ndarë detaje të diskutimeve që po mbahen në Doha që përfshin edhe krijimin e një zone tampon disa kilometërshe përgjatë kufirit të Izraelit me Gazën.
Izraeli do ta mbajë prezencë ushtarake brenda kësaj zone, tha zyrtari.
Me zgjidhjen e këtyre çështjeve, do të mund të dakordohet një armëpushim trefazësh.
Marrëveshja do të përfshinte shkëmbim të 20 burgosurve palestinezë për çdo ushtare izraelite të liruar në fazën e parë të armëpushimit.
Emrat e të burgosurve ende nuk janë dakorduar, por do të zgjidhen nga afro 400 emra që po vuajnë dënim prej 25 vjet burgim apo më tepër në Izrael.
Në këtë listë mund të jetë edhe lideri i Fatahut, Marwan Barghouti, lirimin e të cilit pritet ta kundërshtojë Izraeli. Pengjet izraelite do të lirohen në faza.
Nga 96 pengje që ende mbahen në Gaza, 62 besohet se janë ende gjallë.
Civilët e Gazës do të jenë në gjendje të kthehen në veri, nëpërmjet një mbikëqyrje të Egjiptit e Katarit, dhe do të ketë rreth 500 kamionë ndihma në ditë në Rripin e Gazës.
Në fazën e fundit të planit, që do t’i japë fund luftës 14-muajshe , Gaza do të mbikëqyret nga një komitet i teknokratëve nga enklava, të cilët nuk kanë pasur lidhje të mëhershme politike por do të kenë mbështetjen e gjitha fraksioneve palestineze.