Botë

Marrëveshja e armëpushimit Izrael-Hezbollah gati të arrihet, thonë burimet

Liban

Foto: Associated Press

Një marrëveshje armëpushimi midis Izraelit dhe grupit militant libanez Hezbollah është "shumë afër", ka thënë një burim rajonal për CNN-in të dielën.

Njoftimi vjen në kohën e një rritjeje të sulmeve izraelite të cilat shkaktuan numër të madh të vdekjeve.

Më shumë se 3,000 njerëz janë vrarë në sulmet izraelite që nga rritja e armiqësive në mes të shtatorit, sipas një raporti të CNN-it.

Burimi rajonal ka thënë se ndërsa marrëveshja është më afër se kurrë, ajo ende nuk është formuar plotësisht. Zyrtarët amerikanë dhe izraelitë paralajmëruan se ende nuk u ishte dhënë drita e gjelbërt ndërmjetësuesve.

“Ne po ecim në këtë drejtim, por ka ende disa çështje për t'u trajtuar”, ka thënë një zëdhënës i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu për CNN-in.

Ditët e fundit, Hezbollahu ka shqyrtuar një propozim amerikano-izraelit për një pauzë 60-ditore në luftime, që disa shpresojnë se mund të përbëj bazën e një armëpushimi të qëndrueshëm.

Izraeli nisi një ofensivë të madhe në Liban në mesin e shtatorit, pas disa muajsh të sulmeve kufitare, të cilat filluan kur Hezbollahu sulmoi Izraelin në solidaritet me Hamasin dhe palestinezët në Gaza. 

Që atëherë, Izraeli ka nisur një pushtim tokësor, ka vrarë një varg liderësh të Hezbollahut, duke përfshirë një nga themeluesit e tij, Hassan Nasrallah, dhe ka plagosur mijëra njerëz në një sulm me pejxherë dhe radiolidhje.