Botë

Mandalay dikur “qyteti i arit”, tash kundërmon erë të vdekjes kudo

Mandalay dikur “qyteti i arit”, tash kundërmon erë të vdekjes kudo

Tërmeti 7.7 ballësh ka shkundur ish-kryeqytetin e dikurshëm mbretëror të Birmanisë, Mandalay, duke e shndërruar atë në një gërmadhë të vërtetë, me shifrat e të vdekurve që po rriten vazhdimisht. Infrastruktura e dobët dhe lufta civile janë duke i vështirësuar përpjekjet për kanalizimin e ndihmave në Birmani, ku ushtria ka një precedent për fshehjen e shkallës së fatkeqësive natyrore. Përderisa regjimi ushtarak ka thënë se ndihmat ndërkombëtare janë të mirëpritura, disa punëtorë humanitarë kanë raportuar për vështirësi nga më të ndryshmet, e ndër to është qasja e kufizuar nëpër zonat e prekura nga tërmeti

Mandalay dikur njihej  si “qyteti i arit”, i mbushur me tempuj dhe varreza budiste, por tanimë ajri në ish-kryeqytetin mbretëror të Birmanisë kundërmon nga trupat e pajetë.

Shumë kufoma janë mbledhur që prej goditjes së tërmetit 7.7 ballësh të premten e kaluar afër Mandalayt – trupat janë grumbulluar “një mbi një” -  ka thënë një banore.

Bilanci i të vdekurve prej tërmetit ka arritur në afro 2,900 persona, ndërkaq mbi 4,600 kanë mbetur të lënduar dhe me qindra të tjerë rezultojnë të zhdukur, ka bërë të ditur shefi i regjimit ushtarak të Birmanisë. Këto shifra pritet të rriten.

Banorët e qytetit të dytë më të madh në Birmani kanë thënë se kanë kaluar net të tëra pa gjumë, duke u endur rrugëve në kërkim të ushqimit dhe ujit.

Banorja e Mandalayt, e cila foli për grumbullimin e trupave “një mbi një”, ka humbur tezen e saj si pasojë e tërmetit. 

“Trupi i saj u tërhoq nga rrënojat dy ditë më vonë, më 30 mars”, ka thënë studentja 23-vjeçare. 

Infrastruktura e dobët dhe lufta civile janë duke i vështirësuar përpjekjet për kanalizimin e ndihmave në Birmani, ku ushtria ka një precedent për fshehjen e shkallës së fatkeqësive natyrore. Bilanci i të vdekurve pritet të rritet, derisa ekipet e kërkim-shpëtimit provojnë të qasen në ndërtesat e shembura. 
Studentja 23-vjeçare, që nuk ka dashur ta tregojë emrin e plotë, por vetëm të njihet me nofkën “J”, jeton në distriktin e Mahaaungmyay të Mandalayt. Ajo ndihet e “lodhur nga mungesa e vazhdueshme e gjumit”.

“Të gjithë janë të lodhur, po ndihemi të pashpresë”

Shumë banorë kanë jetuar jashtë nëpër tenda – ose pa asgjë – përgjatë rrugëve, duke u frikësuar se ajo që ka mbetur nga shtëpitë e tyre nuk do t’iu mbijetojë pasgoditjeve të tjera. 

“Unë kam parë shumë njerëz, përfshirë edhe veten, të ulur në tokë dhe duke shpërthyer në lot në rrugë”, ka thënë “J”.

Por, të mbijetuarit po vazhdojnë të nxirren në qytet. Shërbimi i zjarrfikësve ka bërë të ditur se ka shpëtuar mbi 400 persona në Mandalay gjatë katër ditëve të fundit, dhe ka nxjerrë rreth 300 trupa të pajetë. Numri i vërtetë i të vdekurve mendohet se është shumë më i lartë sesa shifrat zyrtare. 

Në një fjalim të mbajtur ditën e martë, shefi i regjimit ushtarak, Min Aung Hlaing, ka thënë se bilanci i të vdekurve mund të tejkalojë 3,000. Në anën tjetër, Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka njoftuar të premten se “ka gjasa shumë të larta se shifra e të vdekurve të shkojë mbi 10,000 persona”, duke u bazuar në epiqendrën dhe madhësinë e tërmetit.

Fëmijët e vegjël kanë qenë veçanërisht të traumatizuar nga fatkeqësia. 

Një klerik lokal i ka thënë BBC-së se djali i tij 8-vjeçar ka shpërthyer në lot disa herë gjatë ditëve të fundit, pasi kishte parë pjesët e lagjes së tij nën rrënoja. Gjithçka ndodhi shumë shpejt. 

“Ai ishte në dhomën e gjumit kur ndodhi tërmeti, dhe gruaja ime po merrej me motrën e tij më të vogël, kështu që disa mbeturina kishin rënë mbi të”, ka thënë kleriku.

“Dje ne pamë trupat duke u nxjerrë nga ndërtesat e shembura në lagjen tonë. Ishte shumë shqetësuese. Birmania është goditur prej shumë fatkeqësive, disa natyrore, disa të shkaktuara nga njerëzit. Të gjithë janë të lodhur. Ne po ndihemi të pashpresë”, ka shtuar ai.

Një murg, që jeton afër kompleksit “Sky Villa”, një nga ndërtesat më të goditura që u reduktua nga 12 në 6 kate si pasojë e tërmetit, i ka thënë BBC-së se “vetëm trupa të vdekur janë nxjerrë” gjatë 24 orëve të fundit.

“Shpresoj se kjo do të mbarojë së shpejti. Ka ende shumë [trupa] brenda, mendoj se janë më shumë se 100”, ka shtuar ai.

Krematoriumet pranë Mandalayt janë të mbingarkuara. Autoritetet po përballen me mungesë furnizimesh të tjera, përfshirë ushqim dhe ujë të pijshëm.

Rreth qytetit, mbetjet e kullave të shkatërruara dhe majat e arta të tyre pushtojnë rrugët. Ndërkohë që Mandalay dikur ishte një qendër kryesore për prodhimin e fletëve të arit dhe një destinacion i njohur turistik, varfëria në qytet është rritur ndjeshëm vitet e fundit, ashtu si në pjesë të tjera të Birmanisë.

Tërmeti me ndikim shkatërrues

Tërmeti i javës së kaluar ka goditur gjithashtu Tajlandën dhe Kinën, por ndikimi i tij ka qenë veçanërisht shkatërrues për Birmaninë, e cila, përveç të tjerash, është e rraskapitur prej luftës së përgjakshme civile, ekonomisë së dobësuar dhe zhgënjimit në masë të madhe karshi ushtrisë, e cila erdhi në pushtet në vitin 2021.

Të martën, në Birmani u mbajt një minutë heshtje në nderim të viktimave, si pjesë e javës së zisë kombëtare. Regjimi ushtarak ka urdhëruar që flamujt të ulen në gjysmë shtizë, transmetimet e mediave të ndërpriten, si dhe iu është kërkuar njerëzve të shprehin respektin e tyre.

Edhe para tërmetit, më shumë se 3.5 milionë njerëz ishin larguar nga vendi.

Mijëra të tjerë, kryesisht të rinjtë, janë larguar nga vendi, për t’iu shmangur rekrutimit me forcë – kjo nënkupton se ka më pak njerëz që ndihmojnë me shpërndarjen e ndihmave dhe në rindërtimin e mëvonshëm të vendit.

Rusia dhe Kina (të njëjtat kanë mbështetur regjimin ushtarak në Birmani edhe në të kaluarën) janë në mesin e vendeve që kanë dërguar ndihma dhe ekipe të kërkim-shpëtimit.

Por ndihma ka qenë e ngadaltë, ka thënë studentja “J”.

“Ekipet e kërkim-shpëtimit janë duke punuar pa pushim për katër ditë dhe mendoj se janë pak të lodhur. Atyre u nevojitet pushim gjithashtu. Për shkak se dëmet kanë qenë të mëdha, ne kemi burime të kufizuara, është thjesht e vështirë për ekipet e kërkim-shpëtimit të menaxhojnë një shkatërrim kaq masiv në mënyrë efikase”, ka shtuar ajo.

Përderisa regjimi ka thënë se ndihmat ndërkombëtare janë të mirëpritura, disa punëtorë humanitarë kanë raportuar për vështirësi nga më të ndryshmet, ndër to qasja e kufizuar nëpër zonat e prekura nga tërmeti. 

Mediat lokale në Sagaing, ku ndodhi epiqendra e tërmetit, kanë raportuar mbi kufizime të vendosura nga autoritetet ushtarake. Në kuadër të kufizimeve, bie theksi te kërkesa drejtuar organizatave për t’i paraqitur listat e vullnetarëve dhe mjetet që ata i sjellin.

Disa grupe për të drejtat e njeriut, përfshirë “Human Rights Watch” dhe “Amnesty International”, i kanë bërë thirrje regjimit në Birmani t’iu lejojë punëtorëve qasje të menjëhershme në zonat e prekura nga tërmeti.

“Regjimi ushtarak në Birmani vazhdon të shpërndajë frikë, edhe pas pasojave të një fatkeqësie natyrore të tmerrshme që ka vrarë dhe ka lënduar me mijëra njerëz”, ka thënë Bryony Lau, zëvendësdrejtoresha e “Human Rights Watch” për Azinë.

“Ushtria duhet të shkëputet prej praktikave të kaluara dhe të sigurohet që ndihma humanitare të arrijë sa më shpejtë tek ata njerëz, jetët e të cilëve janë në rrezik në vendet e prekura”, ka thënë ajo. 

Regjimi ushtarak në Birmani ka hasur në kritika të shumta, për arsye se ka vazhduar të hapë zjarr ndaj disa fshatrave, pavarësisht se vendi është tronditur nga fatkeqësia.