Televizioni shtetëror në Mali ka njoftuar se njëri prej komandantëve të lartë të Shtetit Islamik, për vrasjen e të cilit u premtua shpërblimi prej 5 milionë dollarësh, është vrarë në një operacion që përfshinte trupa nga Mali, Burkina Faso dhe Nigeri.
Abu Huzeifa kishte gisht në disa operacione të profilit të lartë në rajonin e Sahelit, raporton BBC.
Ai ishte i përfshirë në sulmin e vitit 2017 ku u vranë katër ushtarë amerikanë dhe disa trupa nga Nigeri.
Mali, Burkina Faso dhe Nigeri kanë vuajtur nga sulmet e pamëshirshme nga luftëtarët xhihadistë.
Të tre vendet janë nën sundimin ushtarak dhe kanë zhvilluar lidhje të ngushta me Rusinë, ndërkohë që kanë ndërprerë lidhjet me aleatët perëndimorë, përfshirë SHBA-në.
Ata e kanë mirëpritur ndihmën ushtarake ruse ndërsa kanë detyruar trupat nga vendet e tjera që të largohen.
Abu Huzeifa, i cili njihej gjithashtu si Higgo, u përshkrua nga televizioni shtetëror i Malit, si shtetas maroken dhe komandant në provincën e vetëquajtur Sahel të Shtetit Islamik.
Sipas raportit të televizionit shtetëror të Malit, ai u vra të dielën në një operacion në qytetin verior të Indelimanes në rajonin Menaka, duke e përshkruar atë si “fitore kundër një bande të së keqes”.
Qeveria amerikane ka bërë të ditur se Hufeiza ishte në kërkim në lidhje me sulmin ndaj një ekipi të Forcave Speciale të SHBA-së në Niger në vitin 2017.