Organizata të ndryshme po kryejnë teste në terren në ishujt Maldive që nga viti 2019, pasi vija bregdetare e pothuajse secilit ishull po gërryhet. Eksperimentet e ndryshme, të kryera kryesisht në zonat e një shkëmbi në jug të kryeqytetit Male, kanë konsistuar në gjithçka, nga zhytja e një rrjete litari të lidhur në nyje të forta për të mbledhur rërë, deri te përdorimi i një materiali që shndërrohet nga tekstili në beton të ngurtë kur spërkatet me ujë, për të krijuar një pengesë, që u vendos në fund të detit për të krijuar rërë atje
Në të gjithë globin, vijat bregdetare janë nën kërcënim nga rritja e nivelit të detit dhe stuhitë e intensifikuara. Shtetet ishullore dhe qytetet bregdetare po ndërmarrin veprime për t'u mbrojtur, duke filluar nga ndërtimi i mureve e deri te pastrimi i rërës nga shtrati i detit dhe pompimi i saj në plazhe.
Në Maldive, një arkipelag 900 kilometra i gjatë me rreth 1,200 ishuj në Oqeanin Indian, Laboratori i Institutit të Teknologjisë së Massachusetts (MIT) “Self Assembly” dhe organizata e Maldives “Ivena” po punojnë për një zgjidhje më natyrale. Duke përdorur struktura zhytëse, ata janë duke shfrytëzuar forcat e oqeanit për të bërë që rëra të grumbullohet në pika të zgjedhura me kujdes për të mbrojtur ishujt, dhe madje potencialisht për të shtuar ishuj të rinj.
Që nga viti 2019, organizatat kanë kryer teste në terren në Maldive, ku vija bregdetare e pothuajse çdo ishulli po gërryhet.
Eksperimentet e ndryshme, të kryera kryesisht në zonat e një shkëmbi në jug të kryeqytetit Male, kanë konsistuar në gjithçka, nga zhytja e një rrjete litari të lidhur në nyje të forta për të mbledhur rërë, deri te përdorimi i një materiali që shndërrohet nga tekstili në beton të ngurtë kur spërkatet me ujë, për të krijuar një pengesë që u vendos më pas në fund të detit për të krijuar rërë atje.
Në një tjetër eksperiment në terren, një kopsht lundrues u krijua sipër një bregu rëre, për të eksploruar nëse rrënjët mund të ndihmonin në stabilizimin e rërës tashmë të grumbulluar dhe për të mbledhur më shumë rërë.
Në fund të fundit, idetë si përdorimi i mangrove (një pemë ose shkurre që rritet në kënetat bregdetare, kryesisht tropikale, dhe ka rrënjë të shumta të ngatërruara mbi tokë), për mbrojtjen e bregdetit, janë përmendur gjithandej për një kohë. Por ka të dhëna dhe teknologji serioze pas punës.
Instalimet në terren fillojnë si eksperimente në kampusin e MIT në Kembrixh, Massachusetts. Për të përcaktuar se si të orientohen strukturat dhe gjeometritë e tyre ideale, ekipi mbështetet në informacionin e valës dhe rrymës oqeanike të mbledhur nga sensorët e pjerrësisë në Maldive, të dhënat e baticës dhe motit që janë të qasshme për publikun, mijëra simulime kompjuterike dhe një model të mësimit të makinerive, të trajnuar në imazhe satelitore për të parashikuar se si do të lëvizë rëra.
Skylar Tibbits, themelues dhe bashkëdrejtor i laboratorit “Self-Assembly”, i cili fokusohet në materialet dhe proceset që mundësojnë formimin e objekteve dhe hapësirave, i ka thënë CNN-it se ai shpreson që strukturat zhytëse mund të ofrojnë një metodë më të qëndrueshme sesa zgjidhjet konvencionale inxhinierike për të përforcuar vijat bregdetare të gërryera.
“Ne po përdorim forcën natyrore të oqeanit për ta drejtuar rërën”, ka thënë ai.
"Rëra dëshiron të jetë atje"
Maldivet, me një lartësi mesatare prej vetëm një metër mbi nivelin e detit, janë vendi më i ulët në botë. Zyrtarët, operatorët e resorteve dhe zhvilluesit e pasurive të paluajtshme i janë drejtuar gërmimit dhe zgjidhjeve të vështira inxhinierike, ndërtimit të mureve të detit, shkëmbyesve dhe kanalizimeve, në përpjekje për të përballuar problemin.
Por këto ndërhyrje mund të jenë të shtrenjta, të vështira për t'u mirëmbajtur dhe shkatërruese për ekosistemet.
Pompimi dhe gërmimi duhet të përsëriten çdo disa vjet. Muret e detit dhe infrastruktura tjetër madje mund të përkeqësojnë erozionin që synojnë ta parandalojnë ose rregullojnë, veçanërisht kur dizajni ose ndërtimi është i dobët, ose kur idetë kopjohen dhe ngjiten nga diku tjetër, pa marrë parasysh rrethanat lokale.
Paul Kench, një gjeomorfolog bregdetar në Universitetin Kombëtar të Singaporit, që nuk është i përfshirë në punën e MIT dhe “Ivenës”, ka parë prova për këtë. Hulumtimi i tij ka treguar se strukturat nga muret e detit e deri te portet e varkave, mund ta përkeqësojnë erozionin dhe të degradojnë produktivitetin e shkëmbinjve.
"Llojet e zgjidhjeve inxhinierike që ne priremi të përdorim në vijat bregdetare kontinentale nuk duhet të shkojnë askund afër një ishulli shkëmbinjsh", tha ai, por "njerëzit priren t'i përdorin ato, sepse kjo është ajo që ata dinë".
Përdorimi i të dhënave lokale nga “MIT Self-Assembly Lab” dhe “Invena” po punon me forcat natyrore dhe jo kundër tyre, argumenton Tibbits, "kështu që rëra dëshiron të jetë atje".
Me çdo eksperiment në terren, grupi thotë se po avancon të kuptuarit e tij se cilat materiale, konfigurime dhe teknika ndërtimi mund të bëjnë që rëra të grumbullohet në mënyrën më të thjeshtë, më ekonomike, të qëndrueshme, afatgjatë dhe të shkallëzueshme.
Në afat të shkurtër, Tibbits beson se ajo që ata kanë mësuar tashmë mund të përdoret për të rindërtuar në mënyrë efektive plazhet dhe ishujt ekzistues.
Qëllimi i shtrirjes së bashkëpunimit është rritja e ishujve artificialë. Deri më tani, eksperimenti i tij i dytë në terren, i nisur në vitin 2019 në Maldive, pati rezultatet më premtuese. Ai përdori fshikëza të biodegradueshme, tekstile të mbushura me rërë, të cilat u vendosën në pozicione strategjike për të krijuar një “shufër rëre”.
Në vetëm katër muaj, rreth gjysmë metri rërë ishte grumbulluar në një sipërfaqe prej 20 me 30 metra.
Sot, bregu i rërës është rreth dy metra i lartë, 20 metra i gjerë dhe 60 metra i gjatë.
Materiali i përdorur pritet të zgjasë përafërsisht 10 vjet, gjë që mund ta bëjë atë një zgjidhje më të përhershme, dhe për këtë arsye me kosto më efektive sesa pompimi dhe gërmimi, ka shpjeguar Tibbits.

Rritja e zgjidhjeve të qëndrueshme
Zgjidhje të tjera më natyrale po testohen dhe zbatohen diku tjetër. Holanda, për shembull, ndërtoi motorin e parë të rërës në botë - një gadishull rëre i krijuar artificialisht që ndihmon valët ta shtyjnë rërën në bregdet. E ndërtoi më shumë se një dekadë më parë. Në Nju-Jork, shkëmbinjtë e detit po rimbushen për t’i mbrojtur brigjet.
Megjithëse interesi për zgjidhjet që përfshijnë natyrën po rritet, ato mund të jenë të vështira.
"Ata që kanë kontrollin e çantës... ata ngurrojnë të largohen nga këto struktura të forta inxhinierike për shkak të frikës se paratë e tyre mund të shpenzohen kot”, ka thënë Kench.
Por një qasje e re mund të jetë vendimtare. Një përqindje e lartë e erozionit bregdetar në Maldive është "i detyruar në mënyrë antropogjenike" nga ndërhyrjet e vështira inxhinierike, sipas Kench, i cili aktualisht po punon me studentët e tij në Maldive për të kuptuar dhe modeluar më mirë se si ndryshojnë vijat bregdetare të ishujve.
"Diçka që këtyre vendeve atollore (Maldivet, Karibati, Tokelau etj) nuk u pëlqen ta pranojnë është se ato kanë pasur gjurmë të rënda në ishuj”.
Eksperimenti i tretë në terren i “MIT Self-Assembly Lab” dhe “Invena”, i paraqitur në një video, është vendosur në fund të vitit 2021. Ai përdor module të lehta, me kosto të ulët që mund të vendosen shpejt dhe të rregullohen në varësi të variacioneve sezonale në modelet e valëve.
Në Maldive, qeveria mbështet punën e “MIT Self-Assembly Lab” dhe “Invena”, por kjo ende nuk është përkthyer në mbështetje financiare, ka treguar për CNN, Sarah Dole, bashkëthemeluesja e “Invena”.
Në fund të muajit të kaluar, organizatat instaluan një version të përshkallëzuar të eksperimentit të tyre të dytë në terren, duke vendosur gjashtë fshikëza tekstili në një formacion unazor, me synimin për të mbledhur rërë për të ndërtuar një “bankë rëre”, pavarësisht se në cilën mënyrë sezoni i shirave nxit valët dhe rrymat. Një hulumtim do të kryhet në nëntor për t’i parë rezultatet.
Në anën tjetër, një projekt i ardhshëm do ta shndërrojë një plazh në një resort me një udhëtim rreth 15-minuta me skaf nga Male.
Së bashku, këto teste, të cilat janë mbështetur nga një grant i USAID-it, po përpiqen të tregojnë se puna e grupit mund të ketë sukses në shkallë.
"Kjo do të jetë shumë e rëndësishme dhe të gjithë sytë janë te kjo”, ka thënë Dole.