Ministria e Jashtme izraelite ka rekomanduar qytetarët e saj që të mos udhëtojnë për në Maldive pasi qeveria e këtij shteti ishull i ka ndaluar vizitat me pasaporta izraelite.
Ministria e Jashtme në njoftimin e saj ka thënë se rekomandimi vlen edhe për qytetarët izraelitë me dy nënshtetësi, raporton The Guardian.
“Për qytetarët izraelitë që tashmë ndodhen në këtë shtet, rekomandohet largimi, sepse nëse e gjejnë veten në ndonjë problem për çfarëdo arsye, për ne do të jetë e vështirë që të ndihmojmë”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Presidenti i Maldives, Mohamed Muizzu, e ka marrë vendimin për ndalimin e vizitave me pasaporta izraelite, pas një rekomandimi nga kabineti, thuhet në një njoftim nga zyra e tij.
“Vendimi i kabinetit përfshin ndryshimin e ligjeve të nevojshme për të parandaluar hyrjen e mbajtësve të pasaportave izraelite në Maldive, dhe krijimin e një nënkomiteti të kabinetit për të mbikëqyrur këto përpjekje”, thuhet më tej në deklaratë.
Partitë opozitare dhe aleatët qeveritarë në Maldive i kanë bërë presion presidentit Muizzu që të ndalojnë izraelitët, në shenjë proteste kundër luftës në Gaza.
Presidenti Muizzu po ashtu ka njoftuar për një fushatë kombëtare të financimit të quajtur “Populli i Maldives në solidaritet me Palestinën”.