Botë

Macroni shpreh mbështetjen e Francës për Libanin

Emmanuel Macron

Foto: Associated Press

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka shprehur mbështetjen e vendit të tij për Libanin pas shpërthimit të qindra pejxherëve dhe radiolidhjeve të Hezbollahut atje, që lanë të vdekur të paktën 37 persona dhe të lënduar rreth 3,000 të tjerë.

Në një fjalim të enjten, Macroni ka thënë se ai beson se mundësia që lufta të prekë Libanin "nuk është e pashmangshme", raporton AP.

"Ekziston një rrugë diplomatike. Është sfiduese, por është një rrugë që Franca, me të gjithë partnerët e saj, e favorizon për Libanin. Ne veprojmë në emër të vlerave tona, miqësisë dhe lidhjeve tona vëllazërore me Libanin. Ne duam qartësi dhe për të gjithë: izraelitët, iranianët, partnerët ndërkombëtarë dhe rajonalë, liderët libanezë. Ne themi të vërtetën dhe ata e dinë këtë: së pari, përshkallëzimi nuk është në interesin e askujt, asnjë interes privat, asnjë besnikëri ndaj asnjë kauze, s'mund ta justifikojë luftën me Libanin”, është shprehur Macroni. 

Këto komente u bënë pas shpërthimeve në Liban dhe Siri të martën dhe të mërkurën, për të cilat grupi militant islamik Hezbollah ka fajësuar Izraelin.

Izraeli nuk e ka konfirmuar apo mohuar përfshirjen, por ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant ka deklaruar pak pas sulmeve se “një epokë” e re po nisë në përpjekjet luftarake të Izraelit.

Menjëherë pas sulmeve, raportohet se një njësi elitare e Forcave Mbrojtëse të Izraelit janë zhvendosur nga Gaza për në veri të Izraelit.