Botë

Macroni pranon dorëheqjen e kryeministrit Gabriel Attal

Emmanuel Macron dhe Gabriel Attal

Emmanuel Macron dhe Gabriel Attal

Foto: Associated Press

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron pranoi dorëheqjen e kryeministrit, Gabriel Attal të martën, por do të vazhdojë ta mbajë atë në krye të një qeverie të përkohshme, ndërsa Franca përgatitet të presë Olimpiadën e Parisit në fund të muajit.

Zyra e Macronit ka thënë në një deklaratë se presidenti "pranoi" dorëheqjen e kryeministrit dhe ministrave të tjerë të martën. 

“Attal dhe anëtarët e tjerë të qeverisë "duhet të trajtojnë çështjet aktuale derisa të emërohet një qeveri e re", thuhet në deklaratë.

Nuk ka një afat kohor të caktuar se kur Macroni duhet ta emërojë një kryeministër të ri, pas zgjedhjeve parlamentare të këtij muaji që lanë Asamblenë Kombëtare pa bllok politik dominues në pushtet, për herë të parë në historinë e Francës pas Luftës së Dytë Botërore.

Qeveria e përkohshme e udhëhequr nga Attal do të fokusohet vetëm në trajtimin e çështjeve të përditshme.

Seanca e hapjes së Kuvendit Kombëtar është caktuar për të enjten.

Franca ka qenë në prag të paralizës së qeverisë që nga zgjedhjet për Asamblenë Kombëtare në fillim të këtij muaji që rezultuan në një ndarje midis tri grupimeve kryesore politike: koalicioni i majtë i Frontit të Ri Popullor, aleatët qendrorë të Macront dhe Tubimi Kombëtar i ekstremit të djathtë të Marine Le Pen.

Fronti i Ri Popullor fitoi shumicën e vendeve, por nuk arriti shumicën e plotë të nevojshme për ta qeverisur vetë.

Tri partitë kryesore të koalicionit të majtë, e majta e fortë, Franca e Papërkulur, Socialistët dhe të Gjelbërit, i kanë kërkuar presidentit t'u drejtohet atyre për të formuar qeverinë e re, megjithatë bisedimet e tyre të brendshme janë kthyer në një mosmarrëveshje të ashpër se kë të zgjedhin si kryeministër.

Ndërkohë partia “France Unbowed” pezulloi bisedimet të hënën, duke akuzuar socialistët për sabotim të kandidaturave që ata kanë paraqitur për të zëvendësuar Attalin.