Botë

Macroni nuk mori premtime mbi Ukrainën, por e konsideron takimin me Trumpin si pikë kthese

Emmanuel Macron dhe Donald Trump

Foto: AFP

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron udhëtoi për në Washington për ta bindur presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump të qëndrojë në anën e Evropës në bisedimet e tij me Rusinë rreth përfundimit të luftës në Ukrainë. Gjatë largimit nga Shtëpia e Bardhë ai e quajti takimin një “pikë kthese”, edhe pse Trumpi nuk kishte bërë premtime, raporton agjencia e lajmeve “AP”. 

Macron ishte lideri i parë evropian që vizitoi Trumpin që nga rizgjedhja e tij, me qëllim që të përdorë lidhjen e tij për të shtyrë Trumpin të mos “jetë i dobët” gjatë përballjes me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. 

Në deklarimet e fundit të Trumpit, që pasqyrojnë narrativen e Putinit, dhe planet që të ketë negociata të drejtpërdrejta me Moskën i kanë lënë aleatët evropian dhe zyrtarët ukrainas të shqetësuar. Pas takimit të së hënës, Macron ka lavdëruar lëvizjen e Trumpit ndaj Putinit në intervistën për Fox News, duke thënë se mund të dërgojë në një armëpushim në mes Rusisë dhe Ukrainës në javët e ardhshme.
“Por mesazhi im ishte të them ‘ki kujdes’ sepse ne duam diçka substanciale për Ukrainën”, ka shtuar Macron. 

“Ne duam paqe të shpejtë, por nuk e duam një marrëveshje që është e dobët”, ka deklaruar Macron gjatë konferencës me Trumpin. Çdo marrëveshje me Rusinë, Macroni ka insistuar, se duhet të jetë e aftë të “vlerësohet, kontrollohet dhe verifikohet”. 

Trumpi i është përgjigjur pyetjes se pse mendon ai se mund t’i besoj Putinit në negociatat rreth Ukrainës, duke thënë se “mund të jem gabim, por besoj se ai dëshiron të bëjë një marrëveshje”. 
Macroni është i njohur për lëvizje e tij të forta diplomatike. 

Në shkurt të vitit të kaluar, ai ishte lideri i parë evropian që publikisht ka konsideruar dërgimin e trupave perëndimore në Ukrainë. Në dhjetor, derisa ka mirëpritur Trumpin në Paris për të festuar rihapjen e Katedrales së Notre Damit, ai shpejt organizoi një takim trepalësh në Pallatin Elysee me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenksy. Dhe javën e kaluar, ai ka thirrur takim urgjent të liderëve kyç të Bashkimit Evropian dhe kryeministrin e Britanisë, Keir Starmer, i cili do të takojë Trumpin këtë të enjte, për të insistuar që Evropianët të kenë vend në negociatat për të përfunduar luftën në Ukrainë.
Macron, i cili ka marrë detyrën në vitin 2017-të, është nga liderët e pakët që e njohin Trumpin gjatë mandatit të tij të parë.

“Ne thërrasim njëri-tjetrin disa herë në javë, edhe nëse nuk ka ndikim të menjëhershëm, kjo na lejon të njohim se si mendon njëri-tjetri”, ka deklaruar Macron. 

Marrëdhënia e tyre shoqërore u reflektua të hënën gjatë përmirësimit të butë të Macronit, që e mbajti dorën e tij në krahun e Trumpit, për ta bërë të qartë se evropianët kanë dhënë “para të vërteta” për Ukrainën, jo vetëm borxhe. 

Macroni nuk shkoi duarbosh në Washington. Ai në mënyrë të përsëritur ka deklaruar se ai do të shtyjë për të rritur shpenzimet për mbrojtje të Francës dhe Evropës, në përgjigje ndaj kërkesës kryesore të Trumpit. 

Po ashtu ka shprehur mbështetje për shtysën e Trumpit për të bërë marrëveshje për qasje në mineralet e rralla të Ukrainës, të cilën e përshkroi si shenjë e “përfshirjes së fortë Amerikane”. Parisi si Kievi e sheh marrëveshjen si një formë e sigurimit afatgjatë të mbështetjes së SHBA-së për sovranitetin e Ukrainës.

Trumpi është pajtuar me mundësinë e dërgimit të forcave evropiane të sigurisë në Ukrainë kur të arrihet marrëveshja. 

Por nuk ka bërë premtime mbi sovranitetin e Ukrainës apo sigurinë e Evropës.