Botë

Macroni emëron ish-negociatorin e Brexit, Barnier kryeministër të Francës

Michel Barnier

Michel Barnier

Foto: Associated Press

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka emëruar Michel Barnier, ish-negociatorin e Bashkimit Evropian për Brexit-in, si kryeministër të ri të vendit të enjten, pas javësh bisedimesh, pas zgjedhjeve që u mbajtën në fillim të verës.

Barnier, 73 vjeç, udhëhoqi bisedimet e BE-së me Britaninë për daljen e saj nga blloku, nga viti 2016-2021. Para kësaj, politikani konservator ka mbajtur role në qeveri të ndryshme franceze dhe ka qenë gjithashtu Komisioner i BE-së, raporton Reuters.

Macroni kishte konsideruar një varg kryeministrash të mundshëm në javët e fundit, asnjëri prej të cilëve nuk mori mbështetje të mjaftueshme për të garantuar një qeveri të qëndrueshme, ndonëse nuk ka asnjë garanci që qeveria e Barnierit do të arrijë të miratojë reforma.

Por të paktën “Tubimi Kombëtar” i ekstremit të djathtë (RN), partia e të cilit është një nga më të mëdhatë në Parlament pas zgjedhjeve të hershme të korrikut, sinjalizoi të enjten se nuk do ta refuzonte menjëherë Barnierin, nëse ai plotësonte disa kushte.

Vendimi i Macronit për të thirrur zgjedhjet e parakohshme parlamentare në qershor rezultoi keq për të, pasi koalicioni i tij centrist humbi dhjetëra mandate dhe asnjë parti nuk fitoi një shumicë absolute.

Aleanca e Frontit të Ri Popullor të së majtës doli e para në zgjedhje, por Macroni përjashtoi mundësinë që t'u kërkonte atyre të formonin qeverinë.

Në vend të kësaj, ai priti javë të tëra për të bërë zgjedhjen e tij.

Edhe nëse paraliza politike do të vazhdojë pavarësisht emërimit të një qeverie të re, Macroni nuk mund të thërras zgjedhje të reja të parakohshme deri në korrik të vitit të ardhshëm.

Ligjvënësi i “Tubimit Kombëtar”, Sebastien Chenu i ka thënë BFM TV se partia e ekstremit të djathtë do të priste të shihte se çfarë do të thotë Barnier për imigracionin dhe ndryshimin e sistemit të votimit të Francës.