Botë

Macroni e Scholzi flasin se si duhet të jetë Evropa me Trumpin në krye të Shtëpisë së Bardhë

Emmanuel Macron dhe Olaf Scholz

Foto: Associated Press

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë të mërkurën se me kthimin e Donald Trumpit në krze të Shtëpisë së Bardhë, "më shumë se kurrë" i takon Evropës që ta vendosë veten në rend të parë.

"Prioriteti i evropianëve duhet të jetë sot edhe më shumë për Evropën tonë dhe para së gjithash për konkurrencën tonë, prosperitetin dhe sigurinë tonë, për të forcuar gjithashtu demokracitë tona dhe për të ruajtur modelin tonë ekonomik dhe social", ka deklaruar ai në një konferencë të përbashkët me kancelarin gjerman, Olaf Scholz në Pallatin Elysee në Paris, raporton AP.

MacronI i ka bërë thirrje Evropës që të shpenzojë më shumë për mbrojtjen në mënyrë që të zvogëlojë mbështetjen e saj tek Shtetet e Bashkuara për sigurinë e saj.

Ndërkaq, kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka paralajmëruar të mërkurën se presidenti amerikan Donald Trump do të jetë një "sfidë" për Evropën gjatë mandatit të tij të ri.

Por Scholzi ka theksuar se Evropa dhe Uashingtoni kanë pasur gjithmonë një marrëdhënie të ngushtë.

Udhëheqësi gjerman ka vlerësuar përpjekjet e vendeve evropiane brenda NATO-s për të rritur shpenzimet e tyre të mbrojtjes dhe ka shtuar se kontinenti duhet të ketë besim në fuqinë e tij ekonomike.

“Evropa nuk do të fshihet, por do të jetë një partner konstruktiv dhe me vetëbesim”, është shprehur Scholz.