Botë

Macroni cakton kryeministrin e ri

François Bayrou

François Bayrou, aleat i presidentit Emmanuel Macron, është emëruar kryeministër i Francës, pasi votimi historik i mosbesimit të javës së kaluar i dha fund koalicionit të Michel Barnierit.

Bayrou, 73 vjeç, është lideri i partisë së qendrës “MoDem”, vjen nga Franca jugperëndimore dhe e quan veten "njeri i fshatit". Një ish-ministër i Arsimit dhe kryetar i qytetit Pau, ai ka qenë një aleat dhe besnik i ngushtë i Macronit që kur ai erdhi në pushtet më 2017.

Bayrou është kryeministri i katërt francez këtë vit pasi Franca është përballur me një krizë politike në rritje në një parlament të ndarë. Qeveria e Barnierit u rrëzua javën e kaluar pas vetëm tre muajsh në detyrë dhe Macroni dëshiron të shmangë një qeveri të re që do të përballet me të njëjtin fat.

Franca është duke u përballur edhe me situatë kritike në ekonomi, sidomos për shkak të rritjes së borxhit publik dhe deficitit të madh buxhetor.

Partitë opozitare kanë kërkuar edhe dorëheqjen e Macronit, pasi buxheti për vitin 2025 ende nuk është miratuar. Por, Macroni ka refuzuar të japë dorëheqje.