Presidenti francez Emmanuel Macron ka paralajmëruar kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu “të mos injorojë vendimet e Kombeve të Bashkuara (OKB)” gjatë një takimi me ministrat e tij të martën.
“Netanyahu nuk duhet të harrojë se vendi i tij u krijua me një vendim të OKB-së”, ka thënë Macroni, duke iu referuar votimit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në vitin 1947 që i dha fund mandatit britanik mbi Palestinën.
Macroni dhe Netanyahu kanë shkëmbyer kritika ditët e fundit për frikën e një përshkallëzimi në konfliktin midis Izraelit dhe grupit Hezbollah.
Presidenti francez kohët e fundit bëri thirrje për të ndaluar dërgimin e armëve në Izrael, duke nxitur reagimin e kryeministrit izraelit, i cili u shpreh se Macron “duhet të ketë turp”.
Thirrja e Macronit për të mos injoruar vendimet e OKB-së i referohet situatës në Libanin jugor dhe sulmeve izraelite ndaj paqeruajtësve të OKB-së, gjë që u dënua nga 40 vende të shtunën.
Parisi ka thirrur ambasadorin e Izraelit në Francë pas incidentit në të cilin dy punonjës të OKB-së u plagosën në Libanin jugor.