Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka alarmuar për situatën e sigurisë në Evropë. Ai ka thënë se vendet evropiane duhet të jenë në gjendje gatishmërie nëse SHBA-ja nuk është në anën e tyre. Sipas tij SHBA-ja ka ndryshuar pozicion mbi luftën në Ukrainë dhe është më pak mbështetëse ndaj saj. Macron ka vlerësuar se paqja në Ukrainë “mund të vijë ndoshta përmes dislokimit të forcave evropiane atje”. Ka shtuar se për këtë, javën e ardhshme në Paris do t’i mbledhë shefat ushtarakë “të shteteve që dëshirojnë të marrin përgjegjësinë në këtë drejtim”
Presidenti francez, Emmanuel Macron, të mërkurën në një adresim kombëtar ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë “ndryshuar pozicion” mbi luftën në Ukrainë, duke alarmuar vendet evropiane se ato duhet të jenë në gjendje gatishmërie nëse SHBA-ja nuk është në anën e tyre.
“SHBA-ja, aleati ynë, ka ndryshuar pozicion mbi luftën, është më pak mbështetëse ndaj Ukrainës dhe po hedhin dyshime për atë që do të ndodhë më pas”, ka deklaruar ai, raporton The Guardian.
Macroni ka shtuar se “historia na ka mësuar se rreziku nga Rusia është i vërtetë” dhe se ai “i ndikon vendet evropiane”.
“Lufta në Ukrainë ka zgjatur për më shumë se tre vjet. Që nga dita e parë, ne vendosëm ta mbështesim Ukrainën dhe ta sanksionojmë Rusinë. Dhe ne vepruam siç duhet. Sepse nuk është vetëm populli i Ukrainës që po lufton në mënyrë të guximshme për lirinë e tij, por është edhe siguria jonë që po kërcënohet. Paqja nuk mund të garantohet më në kontinentin tonë. Kërcënimi rus është i pranishëm dhe i ndikon vendet e Evropës”, ka thënë ai.
Sipas liderit francez, Rusia po vazhdon të riarmatoset dhe po planifikon që deri në vitin 2030 të rrisë kapacitetet ushtarake.
“Rusia planifikon të rrisë ushtrinë e saj, që të ketë 300,000 ushtarë të rinj, 3,000 tanke, dhe 300 avionë luftarakë. Kush mund ta besojë se, në këtë kontekst, Rusia e sotshme do të ndalojë vetëm me Ukrainën? Rusia është kthyer në kërcënim për Francën dhe Evropën”, ka paralajmëruar ai.
Shefat ushtarakë të vendeve evropiane do të mblidhen në Paris
Gjatë fjalimit të transmetuar në kohë reale, presidenti francez, Macron, ka bërë me dije se është tepër e rëndësishme që të vazhdohet me ndihmat ekonomike dhe ushtarake për Ukrainën, në një kohë kur Washingtoni ka suspenduar përkohësisht dërgesat me pajisje ushtarake për Kievin.
“Paqja nuk mund të konkludohet nën diktatin e Rusisë. Paqja nuk mund të jetë kapitullimi i Ukrainës. Nuk mund të jetë kolapsi i saj. Dhe as nuk mund të rezultojë në një armëpushim të brishtë”, ka thënë Macroni, raporton LeMonde.
Kreu i shtetit gjithashtu ka vlerësuar se paqja në Ukrainë “mund të vijë ndoshta përmes dislokimit të forcave evropiane” në territoret ukrainase, të cilat “nuk do të shkojnë të luftojnë në vijën e frontit, por do të jenë atje, përkundrazi, pasi të nënshkruhet paqja, për të garantuar respektimin e plotë të saj”.
Emmanuel Macron ka njoftuar se javën e ardhme do t’i mbledhë në Paris “shefat e shtabit të shteteve që dëshirojnë të marrin përgjegjësinë në këtë drejtim”, dhe ka lavdëruar “një plan për një paqe të qëndrueshme, dhe të fortë, të përgatitur me ukrainasit dhe disa partnerë të tjerë evropianë”.
Në vazhdim të fjalimit, Macroni ka folur në lidhje me gjendjen ekonomike të botës, duke thënë se Franca duhet të “përgatitet për tarifat e Shteteve të Bashkuara ndaj mallrave evropiane”. Ai e ka quajtur vendimin amerikan për tarifat të pakuptueshëm si për ekonominë amerikane, ashtu dhe për ekonominë franceze.
“Ky vendim i administratës Trump e vështirëson situatën, por nuk do të mbetet pa u përgjigjur nga ne”, ka thënë ai, duke u zotuar se do të provojë gjithçka për ta bindur, madje edhe për ta ndaluar presidentin amerikan në vendimin mbi tarifat.