Botë

Lukashenko e quan të vonuar ndryshimin e Putinit për armët bërthamore

Aleksandër Lukashenko

Foto: Associated Press

Udhëheqësi bjellorus, Alexandër Lukashenko, ka thënë të dielën se ndryshimet e shpallura nga Rusia në politikën e saj të armëve bërthamore, janë të vonuar prej kohësh.

Lukashenko, një aleat i ngushtë i presidentit rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se "kokat e nxehta" në Perëndim kishin dëgjuar tashmë sinjalet bërthamore që dërgoheshin nga Moska edhe përpara se udhëheqësi i Kremlinit të shpallte ndryshimet muajin e kaluar, raporton Reuters. 

Putini ka deklaruar më 25 shtator se Rusia po zgjeronte listën e skenarëve që mund ta shtynin atë të konsideronte lëshimin e një arme bërthamore, duke përfshirë nëse kishte informacion të besueshëm për një sulm masiv ndërkufitar kundër saj. Ai ka thënë se Moska do ta konsideronte çdo sulm ndaj saj të mbështetur nga një fuqi bërthamore, si një sulm të përbashkët. 

Njoftimi erdhi si përgjigje e Kremlinit ndaj diskutimeve në Shtetet e Bashkuara dhe Britani nëse duhet t'i jepet apo jo Ukrainës leje për të gjuajtur raketa konvencionale me rreze të gjatë veprimi, të furnizuara nga Perëndimi, për të goditur objektiva thellë brenda Rusisë.

"Kjo doktrinë duhet të ishte vendosur shumë kohë më parë”, ka thënë Lukashenko, i cili vitin e kaluar ra dakord me Putinin për vendosjen e armëve bërthamore taktike ruse në Bjellorusi.

Ai ka thënë për një televizion rus se raketat perëndimore "tashmë do të na bombardonin" nëse Perëndimi nuk do t'i kishte kushtuar vëmendje sinjaleve të mëparshme bërthamore të Putinit.