Trupat ushtarake ukrainase janë të koncentruara në disa drejtime në luftën kundër ushtrisë ruse, ka njoftuar presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Ai shkroi në X të dielën se rusët i kanë kryer mbi 70 sulme ndaj pozicioneve të tyre, derisa tha se luftime ka në Pokrovsk, Kramatorsk, Lymanit dhe Kursk.
“Forcat tona vazhdojnë operacionet aktive mbrojtëse në zona të caktuara në rajonet e Kurskut dhe Belgorodit”, ka shkruar ai.
Luftime më të rrepta sipas Zelenskyt ka nga Brigada e 3-të Operative e Gardës Kombëtare “e cila po përmbush detyrat e saja luftarake me cilësi të jashtëzakonshme në drejtimin e Pokrovskut”.
“Ukraina vazhdon të mbrojë pavarësinë dhe tokën e saj në beteja. Situata në vijën e frontit dhe veprimtaria reale e ushtrisë ruse tregojnë se presioni aktual global ndaj Rusisë është i pamjaftueshëm për t’i dhënë fund kësaj lufte. Së shpejti do të bëhen pesëdhjetë ditë qëkur Rusia ka refuzuar propozimin e Shteteve të Bashkuara për një armëpushim të plotë dhe të pakushtëzuar — një propozim që Ukraina e pranoi që më 11 mars”, ka theksuar ai.
Zelensky u shpreh se nevojitet një presion më i madh ndaj Rusisë “për të krijuar më tepër mundësi për diplomaci reale”.
Zelensky të shtunën zhvilloi një bisedë sy më sy me presidentin amerikan, Donald Trump, gjatë ceremonisë së varrimit të Papa Françeskut.