Luftime të ashpra dhe bombardime janë parë afër qytetit jugor të Gazës, Rafah, të mërkurën derisa Izraeli ka bërë të ditur se pikëkalimi Kerem Shalom është rihapur për ndihma.
Ushtria izraelite ka thënë se trupat e saj kanë vrarë luftëtarë të Hamasit në Rafahun lindor si pjesë të një operacioni “të saktë” kundër terrorizmit, raporton BBC.
Më herët, ushtria tha se kamionët kanë mbërritur në Kerem Shalom, që ishte mbyllur pas një sulmi me raketa të dielën.
Sidoqoftë, një agjenci e Kombeve të Bashkuara ka thënë se asnjë ndihmë nuk ka hyrë ende nëpër pikëkalim.
OKB-ja ka shprehur të martën alarmin rreth asaj që e ka quajtur “mbytja” e dy arterieve kryesore të Gazës nga Izraeli, pasi trupat e tij morën kontrollin e plotë të anës palestineze të pikës më të afërt të Rafahut me Egjiptin.
Ndërkohë, negociatat për një armëpushim të ri dhe marrëveshje për lirimin e pengjeve kanë rifilluar në Kajro, me SHBA-të që thonë se besojnë se një propozim i rishikuar i Hamasit mund të çojë në një përparim.
Ushtria izraelite hodhi poshtë rëndësinë e vendimit të qeverisë amerikane për të ndalur një dërgesë me bomba të fuqishme për shkak të shqetësimeve se Izraeli ishte gati të niste një ofensivë të madhe në qytetin Rafah.
Shtatë muaj pas luftës së tij me Hamasin në Gaza, Izraeli ka këmbëngulur se fitorja është e pamundur pa marrë Rafahun.
Por me më shumë se 1 milion palestinezë të zhvendosur që janë strehuar atje nga luftimet diku tjetër, OKB-ja dhe fuqitë perëndimore kanë paralajmëruar se një sulm i gjithanshëm mund të ketë pasoja shkatërruese humanitare.