Botë

“Luftë” mes banorëve të Gazës për arritjen e ndihmave nga ajri

Gaza

Banorët e Gazës, përveç sulmeve izraelite, duhet të durojnë edhe “sulmet” që krijohen gjatë nxitimit për t’i kapur ndihmat që po lëshohen përmes ajrit nga shtetet e ndryshme. Frika nga përhapja e urisë po i shtyn palestinezët që të vrapojnë drejt ndihmave derisa shumë prej tyre janë ankuar se kanë pësuar lëndime në përpjekje për të siguruar pak ushqimet për familjet e tyre

(The Guardian) - Hedhja e ndihmave nga ajri është duke shkaktuar përleshje që mund të bëhen fatale në Gaza, pasi shumë palestinezë po vrapojnë për t’i arritur ato, në mes të frikës për mungesë të ushqimit.

Dëshmitarët, pamjet dhe intervistat me punëtorët e ndihmave në Gaza kanë thënë se ndihma ajrore ka kontribuuar që të rritet anarkia në vendin ku po zhvillohen luftime tash e gati gjashtë muaj.

Yousef Abu Rabee, një fermer dredhëzash në veri të Gazës para se të niste konflikti atje, ka thënë se ai ka hequr dorë nga të provuarit për t’i arritur ndihmat, pasi ishte qëlluar nga një burrë i paidentifikuar i armatosur, gjatë një beteje kaotike të kohëve të fundit rreth një palete ndihmash, e cila ishte lëshuar me parashutë.

“Që atëherë kam ndaluar së shkuari, pasi nuk ia vlen gjithë ai rrezik, ngase njeriu është i rrezikuar nga ndonjë plagosje apo edhe nga vdekja në çdo moment”, ka thënë Rabee, 25-vjeçar, raportoi “The Guardian”.

Të tjerët kanë raportuar vdekjet nga prerja me thikë.

Dymbëdhjetë persona u mbytën duke u përpjekur të merrnin ndihmën, që u hodh me aeroplan jashtë një plazhi të Gazës javën e kaluar, kanë thënë autoritetet shëndetësore palestineze. Në fillim të muajit të kaluar, pesë persona mbetën të vdekur pranë kampit të refugjatëve bregdetarë të njohur si al-Shati, në një nga pjesët më të shkatërruara të Gazës, pasi një parashutë nuk u vendos siç duhet dhe ndihma ra mbi një grup burrash, adoleshentë dhe fëmijë më të vegjël.

Më 25 mars, Britania e Madhe lëshoi me parashutë më shumë se 10 tonë ndihma, përfshirë: ujë, oriz, vaj përgatitjeje, miell dhe ushqim për foshnje, për civilët në Gaza, ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes në Londër.

Kritikët thonë se ndihmat ajrore nga Britania, SHBA-ja, Franca, Spanja, Jordania e shtetet e tjera janë “të pamjaftueshme, të rrezikshme, dhe të shtrenjta”. Sipas tyre, ato mund të devijojnë në zemërim publik pasi fuqitë ndërkombëtare nuk arrijnë të bindin Izraelin që të lejojë më shumë ndihma për të arritur në Gaza.

Agjencitë e ndihmës thanë se vetëm një e pesta e furnizimeve të kërkuara po hyjnë në Gaza, ndërsa Izraeli vazhdon me një ofensivë ajrore dhe tokësore, të shkaktuar nga sulmi i Hamasit më 7 tetor, i cili vrau 1,200 persona, kryesisht civilë, dhe se dërgesat nga ajri ose deti direkt në plazhe nuk janë zëvendësim.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (ICJ) ka thënë këtë javë se Izraeli duhet të veprojë menjëherë “për të lejuar ndihmën e nevojshme dhe bazike”.

Izraeli fillimisht vendosi një bllokadë totale në Gaza pas sulmeve të Hamasit, por më pas lejoi një sasi të vogël ndihme të kontrolluar rreptësishtë në territor.

Kolonat e ndihmave duhet të përshkojnë deri në 40 km rrugë të shkatërruara me rrënoja të shpërndara, për të arritur në veri, ku kërcënimi i urisë është më i madhi. Shumë autokolona janë bllokuar ose vonuar nga forcat izraelite.  Disa janë grabitur nga banda të organizuara ose individë të dëshpëruar.

Izraeli ka thënë se nuk vendos asnjë kufi në sasinë e ndihmës që hyn në Gaza dhe fajëson për problemet agjencitë e OKB-së, të cilat, sipas tij, janë joefikase.

Rabee ka thënë se ai ishte larguar nga shtëpia e tij në qytetin Beit Lahia, në Gazën veriore, në ditët e para të ofensivës së Izraelit, e cila deri më tani ka vrarë 33,000, kryesisht gra dhe fëmijë, sipas zyrtarëve nga Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi.

Në fillim të këtij muaji, ai u kthye në Beit Lahia, e cila tani është kthyer në gërmadha.

“Në një fazë, ndihmat filluan të mbërrinin me avion dhe njerëzit filluan të gjurmonin dhe të vëzhgonin për këtë ndihmë, aty ku po zbriste pranë plazhit. Njerëzit po mblidheshin në një numër të madh në skena të paimagjinueshme… Të gjithë njerëzit po luftonin për të marrë një artikull të vetëm në çdo mënyrë që mundnin”, ka thënë Rabee.