Sekretari i ri amerikan i Shtetit, Marco Rubio, pasi mori detyrën më 20 janar, konfirmoi se armëpushimi në Ukrainë do të jetë priroritet i presidentit Donald Trump dhe kjo do të ndodhë pothuajse menjëherë. Por, në çfarë pozicioni gjenden ushtritë ruse e ukrainase në prag të këtij momenti?
Ofensiva ruse po vazhdon. Ajo ka vazhduar për gati një vit e gjysmë - që nga tetori i 2023-s, kur trupat filluan të sulmojnë Avdiivkan. Gjatë kësaj periudhe, ata arritën të kapnin një zonë rekord të territoreve ukrainase pas fillimit të një lufte, në shkallë të gjerë, si dhe qytete si Avdiivka, Selidove, Khrasnohorivska, Vugledar dhe Kurakhove.
Megjithatë, duket se kulmi i kësaj ofensive u shënua në fundin e 2024-s dhe në fillim të 2025-s. Ajo e humbi ritmin. Statistikat ditore të luftimeve ushtarake, të publikuara nga Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës, mund të dëshmojnë për këtë. Nëse në dhjetor kanë ndodhur mesatarisht 200 në ditë, në janar janë rreth 160.
S'dihet me siguri nëse kjo është për shkak të motit, mungesës së pajisjeve ushtarake apo rënies së burimeve njerëzore në ushtrinë ruse. Sidoqoftë, blogjet ushtarake thonë se në Rusi ka rënë interesimi i njerëzve që duan t'i bashkohen ushtrisë kundër trupave ukrainase.
Derisa në 2023-n ushtria ruse rekrutonte rreth 900 njerëz në ditë, në 2024-n numri ra në 500.
Pavarësisht kësaj, Kremlini vazhdon të përparojë në fushëbetejat kryesore, kryesisht në rajonin e Donetskut.
Megjithatë, ushtria ukrainase po përjeton periudha të vështira që lidhen me dështimin në mobilizim dhe mungesën e personelit të trajnuar dhe të motivuar.
Që nga 21 janari, situatë kritike është krijuar për trupat vendase pranë qytetit Velyka Novosilka në jugperëndim të rajonit të Donetskut. Qëkur ka nisur agresioni rus, ky vendbanim është bërë bastion i rëndësishëm për ushtrinë ukrainase. Përpjekjet e para ruse për t'iu afruar asaj në 2022-n ishin të pasuksesshme, e në verën e 2023-s, armiku u shty për 10 kilometra nëpërmjet një kundërofensive.
Por, rënia e Ugledarit si zonë fqinje e Donetskut në tetorin e 2024-s hapi rrugën që ushtria ruse ta përdorte si qendër mbrojtëse.
Në fund të vitit të kaluar, pas betejave të rënda në fshatin Novy Komar, ushtria ruse arriti t'i presë rrugët veriore të garnizonit ushtarak ukrainas dhe në fillim të janarit u bllokua nga rruga kryesore perëndimore drejt Gulyaipolit. Situata në këtë drejtim u përkeqësua në janar, kur ushtria ruse ishte në gjendje të kapte periferitë jugperëndimore të Velika Novosilkas, në fshatrat Neskuchne dhe Vremivka.
Më 18 janar, mediumi ukrainas DeepState ka raportuar se trupat ruse tashmë kishin filluar të sulmonin drejtpërdrejt zonën Velika Novosilka. Forcat Ajrore Ruse ishin në gjendje të depërtonin nga lindja në zonën e shkollës dhe të stadiumit. Eksperti ushtarak, Kostyantyn Mashovets, ka deklaruar se situata atje është aq e vështirë, sa edhe po të tërhiqen ukrainasit, kjo s'do të ishte e lehtë për t'u bërë.
Deri më tani, trupat ukrainase nuk kanë qenë në gjendje të stabilizojnë situatën as pranë Pokrovskut. Ky është drejtimi kryesor i goditjes ruse që nga pranvera e 2024-s. Këtu Moska ka qenë më së shumti e përqendruar me numër masiv të forcave.
Rusët kanë depërtuar edhe në zonën Udachne-Kotlyna, duke ndaluar qarkullimin e ushtrisë së presidentit Volodymyr Zelensky. Pranë kësaj zone ekziston miniera e fundit e qymyrit koks, por puna është ndërprerë për shkak të luftimeve. Rusët do t'i afrohen edhe rrugës Pokrovsk - Pavlograd - Dnipro. Ajo deri vonë ishte arteria kryesore logjistike për furnizimin e njësive ukrainase në Donbas. Sipas Forcave Ajrore të Ukrainës, trafiku në të është ndaluar që nga dhjetori për shkak të rrezikut. Nga krahu i kundërt, ushtria ruse po lufton për t'iu afruar territorit në rrugën për Kostiantynivka.
Analistët ushtarakë, duke përfshirë gjeneralin australian në pension, Mick Ryan, vërejnë se operacioni për të rrethuar Pokrovskun i kushtoi ushtrisë ruse humbje masive.
Në javët e ardhshme, Kremlini mund të llogarisë në suksesin e dy zonave fqinje. Në qyttin Toretsk, që është 50 kilometra në lindje të Pokrovskut, trupat ruse arritën të avancojnë në ndërtesa banimi dhe të marrin nën kontrollin e tyre për 80 për qind të vendbanimit.
Luftime të ashpra po zhvillohen nga qershori i vitit të kaluar, kur Federata Ruse ia doli të depërtonte nga ana e Horlivskës së pushtuar. Pavarësisht se vija e frontit këtu ka qenë e qëndrueshme për 10 vjet. Përplasjet në zhvillimin urban këtu kanë më tepër se gjysmë viti.
Në javët e fundit, rusët s'arritën të shtyjnë trupat ukrainase në periferinë verilindore.
Operacioni rus për të marrë kontrollin e plotë të Toretskut mund të jetë shumë i vështirë për trupat ruse, nëse nuk janë të gatshëm t'i eliminojnë disa prej zonave ku trupat ukrainase janë përforcuar. Përplasjet aty kanë nisur në pranverën e 2024-s.
Në pjesë të tjera të frontit, situata është më e qëndrueshme dhe e parashikueshme për trupat ukrainase. Pavarësisht luftimeve të rrepta në drejtimet Kupyansk dhe Lymansk, Forcat e Armatosura Ukrainaase arritën ta mbanin armikun në një distancë nga këto vendbanime. Javët e fundit, rusët patën disa përparime të kufizuara. Në ditët e fundit në Kursk pati luftime të rrepta, sidomos kur trupa nga Koreja e Veriut u përfshinë në luftime në anën e rusëve. Ata fituan një pjesë të territorit, por nuk arritën të depërtonin në nyjet e mbrojtjes ukrainase - në Suja dhe Mala Loknya.
Më 19 janar, ushtria ukrainase i ktheu pozicionet e humbura në fshatin Makhnovka. Autoritetet ukrainase vlerësojnë se humbjet ruse gjatë një viti e gjysmë janë 38.000 ushtarë, ndërsa rusët pretendojnë se janë vrarë mbi 53.000 ushtarë ukrainas.