Një nga themeluesit e kartelit të drogës, Medellin, është rikthyer në Kolumbi pasi kaloi më shumë se 20 vjet burgim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për trafikim droge.
Fabio Ochoa Vasquez, tani 67-vjeçar, u dëbua nga qeveria amerikane dhe mbërriti në Bogota të hënën si njeri i lirë.
Ochoa ishte një prej themeluesve të kartelit famëkeq dhe ishte ndër shërbyesit më të lartë të lordit të famshëm të drogës Pablo Escobar.
Karteli i Medellinit dominoi tregun e kokainës dhe nisi fushatë të dhunshme ndaj shtetit kolumbian deri në vrasjen e Escobarit më 1993.
Pas arritjes në Bogota, zyrtarët e imigrimit monitoruan shenjat e gishtave përmes databazës së tyre, ka njoftuar Agjencia e Imigrimit.
Duke konfirmuar se ai nuk kërkohet nga autoritetet kolumbiane, kjo agjenci ka thënë se Ochoa është i lirë “të ribashkohet me familjen”.
Ochoa ishte arrestuar më 1999 krahas 30 të tjerëve, ndërsa më 2001 ishte dërguar në SHBA.
Bashkë me vëllezërit e tij, Ochoa ishte i pari prej udhëheqësve që u dorëzua nën një program të mëhershëm. Ky program i mbronte pjesëtarët e kartelit nga ekstradimi në SHBA, nëse do të pranonin fajësinë për shkelje të lehta në Kolumbi.
Ai dhe vëllezërit u liruan nga burgu më 1996, por Ochoa u arrestua sërish. Më 2003, ai u dënua me 30 vjet burgim nga një gjykatë në SHBA për përfshirjen në kartel që kishte dërguar rreth 30 tonë kokainë çdo muaj në periudhën 1997-1999.