Botë

Lista e top-vendeve që ndihmuan Ukrainën me armatim prej 2022-s

Lufta në Ukrainë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë furnizuar më së shumti Ukrainën me armatim qëkur ka nisur lufta me Rusinë.

Mes shkurtit të 2022-s dhe fundit të qershorit 2024, SHBA-ja i ka dorëzuar armë dhe pajisje ushtarake në vlerë prej 55.5 miliardë dollarëve, sipas Institutit Kiel për Ekonominë Botërore.

Kjo organizatë gjermane, sipas BBC-së, ka bërë matjet e vendeve që kanë ndihmuar ushtrinë ukrainase në luftë me agresionin rus.

Në top-listën e vendeve donatore prin SHBA-ja, pasuar nga Gjermania me 11 miliardë dollarë, Britania e Madhe 9.6 miliardë, Danimarka 6.9 miliardë, Holanda 4.7 miliardë, Suedia 4.2 miliardë, Franca 3.3 miliardë dollarë, Polonia 3.2 miliardë, Finlanda 2.4 miliardë dhe Kanadaja me 2.2 miliardë. Pakot me ndihma ushtarake përfshijnë avionë, mbrojtje ajrore, tanke dhe dronë.

Britania e Madhe e ka furnizuar Ukrainën me raketa me rreze të gjatë veprimi të quajtur Storm Shadows, por s'e ka lejuar t'i përdorë ndaj territorit rus.