Pjesët e veturave në Kore të Jugut janë përdorur për prodhimin e limuzinës Aurus që presidenti rus Vladimir Putin ia dhuroi liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un, gjatë vizitës së javës së kaluar në Fenian, sipas të dhënave të marra nga agjencia Reuters.
Limuzina luksoze kishte për qëllim të tregonte varësinë e reduktuar të Rusisë nga teknologjia e importuar kur u zbulua në vitin 2018, megjithatë, të dhënat doganore tregojnë se kompania e ka prodhuar duke përdorur pjesë të importuara me vlerë miliona dollarë, shumë prej të cilave vijnë nga vendi që Kim e ka caktuar si armikun kryesor - Koreja e Jugut.
Importet tregojnë për mbështetjen e vazhdueshme të Rusisë në Perëndimin dhe teknologjinë e tyre, ndërsa Moska po përpiqet ta zbusë ndikimin pas ndëshkimeve që ka marrë për luftën në Ukrainë.
Rusia importoi të paktën 34 milionë dollarë pajisje dhe komponentë midis viteve 2018 dhe 2023 për të montuar vetura dhe motoçikleta Aurus, treguan të dhënat doganore.
Importet përfshijnë pjesë të automjeteve, sensorë dhe komponentë të tjerë me vlerë afro 15.5 milionë dollarë të importuara nga Koreja e Jugut.
Gjithashtu importohet nga Kina, India, Turqia, Italia dhe vende të tjera të BE-së.
Aurus Motors dhe shefi i saj Andrey Pankov nuk iu përgjigjën kërkesës së Reuters për koment mbi përdorimin e pjesëve të huaja në automjetet e saj, përfshirë ato nga Koreja e Jugut.
