Ligjvënësit francezë janë duke diskutuar një projektligj të enjten, i cili do të ndalonte diskriminimin për përmbajtjen, gjatësinë, ngjyrën apo stilin e flokëve të dikujt.
Autorët e projektligjit shpresojnë se masa do të përçojë mesazhin e mbështetjes për njerëzit me ngjyrë dhe të tjerët, të cilët janë përballur me probleme në vend të punës apo diku tjetër për shkak të flokëve, raportoi AP.
“Është çështje kohe. Sot ne po shkojmë një hap më para duke i hedhur poshtë këto barriera të diskriminimit”, ka thënë Estelle Vallois, një 43-vjeçare e cila po stilonte flokët e saj në një sallon floktarie në Paris.
Projektligji i bën jehonë legjislacionit të ngjashëm në më shumë se 20 shtete të SHBA-së. Projektligji u propozua nga Olivier Serva, një ligjvënës francez nga ishulli francez i Karaibeve, Guadeloupe, i cili thotë se nëse miratohet do ta bënte Francën vendin e parë në botë që njeh diskriminimin në bazë të flokëve në nivel kombëtar.
Projektligji ka gjasa të kalojnë në një votim të enjten në Asamblenë Kombëtare, dhoma e ulët e Parlamentit, pasi ai ka mbështetjen e anëtarëve të partisë centriste të presidentit, Emmanuel Macron “Renaissance” dhe partive të krahut të majtë.
Në Shtetet e Bashkuara, 24 shtete kanë miratuar një version të Aktit CROWN – i cili kërkon krijimin e një bote të respektueshme dhe të hapur për flokët natyralë, që ndalon diskriminimin e flokëve me bazë racore në punësim, strehim, shkolla dhe në ushtri.
Legjislacioni federal kaloi në Dhomën e Përfaqësuesve në vitin 2022, por republikanët e Senatit e bllokuan atë një muaj më vonë.