Nën ligjin e ri të Ukrainës për mobilizim, i cili ka hyrë në huqi më 18 maj, burrat ukrainas janë duke u përballur me dy zgjedhje: të binden dhe të ballafaqohen me mundësinë e dërgimit në vijën e frontit, ose të përpiqen ta shmangin dhe të rrezikohen nga dënimet. Ukraina nuk e ka sekret nevojën emergjente për të rekrutuar më shumë njerëz, teksa përpiqet ta mbrojë veten nga agresioni rus. Mungesa e personelit është duke pasur rezultate shqetësuese në fushëbetejë.
Ajri i zyrës së rekrutimit të ushtrisë ukrainase, ku një floktar 30-vjeçar është duke u intervistuar, është i mbushur me ankth. Burri nuk ka eksperiencë ushtarake dhe nuk është i sigurt se aftësitë e tij do të jenë të dobishme. Në një pikë, i rekrutuari me shaka sugjeron se ndoshta mund t’ju presë të gjithëve flokët bukur.
Por burri – i cili ka kërkuar të mbetet anonim për shkak të statusit ushtarak – është atje gjithsesi. “Koha ime ka ardhur”, ka thënë ai.
Nën ligjin e ri të Ukrainës për mobilizim, i cili ka hyrë në fuqi më 18 maj, burrat ukrainas janë duke u përballur me dy zgjedhje: të binden dhe të ballafaqohen me mundësinë e dërgimit në vijën e frontit, ose të përpiqen ta shmangin dhe të rrezikohen nga dënimet.
Floktari ka bërë zgjedhjen e parë dhe ka dalë vullnetar, duke u bërë një nga gjashtë burrat që janë intervistuar në qendrën e rekrutimit “Da Vinci Wolves Battalion” në Kiev atë ditë. Zyra ndodhet në një ndërtesë të thjeshtë rezidenciale, e fshehur nga bota e jashtme. Brenda, muret janë të dekoruara me foto dhe pankarta të mëdha, ku shihet logoja e batalionit, vizatim i tri ujqve brenda tridentit ukrainas. Slogani i njësisë së rekrutimit është “të gjithë do të luftojnë” dhe laptopi i rekrutuesit është i mbuluar me foto, e njëra prej tyre thotë “Ekipi i juaj po ju pret”.
Ukraina nuk e ka sekret nevojën emergjente për të rekrutuar më shumë njerëz, teksa përpiqet ta mbrojë veten nga agresioni rus. Ndërsa qeveria nuk e tregon numrin e të vdekurve dhe të plagosurve, vlerësimet e bëra nga ekspertët tregojnë mijëra humbje për të dyja palët, që nga fillimi i pushtimit të plotë nga Rusia në shkurt të 2022-s.
Një komandant ukrainas, i cili ka dashur të mbetet anonim për shkaqe sigurie, ka thënë se mungesa e personelit është duke dhënë rezultate shqetësuese në fushëbetejë.
“Nëse do t’i kishim pasur rreth 1.000 deri 1.500 burra në Avdiivka, ne do t’i kishim mbrojtur pikat e ndjeshme përmes të cilave është futur armiku... Nëse kishim pasur më shumë burra, ne do të duronim më gjatë”, ka thënë ai për qytetin lindor industrial, i cili është pushtuar nga forcat ruse në shkurt.
Duke e shqyrtuar rastin për mobilizimin e ri, Yurii Sodoli, komandant i Forcave të Bashkuara të ushtrisë ukrainase, u ka thënë ligjbërësve ukrainas muajin e kaluar se trupat ruse i tejkalojnë në numër ato ukrainase “shtatë deri dhjetë herë” në Ukrainën lindore.
Mungesa e personelit është duke vendosur presion të madh mbi ata që janë tashmë duke shërbyer në ushtri.
“Lufta është duke vazhduar dhe mobilizimi është esencial. Njerëzit që kanë qenë duke luftuar për dy vjet janë lodhur. Disa janë duke u çmendur”, ka thënë Yaroslav Galasi, i cili për momentin është duke shërbyer me Brigadën Sulmuese Malore.
“Ushtarët kanë nevojë për disa muaj pushimi të duhur. Ata kanë nevojë të shërohen, të çlodhen dhe të harrojnë. Atyre u duhet t’i shpenzojnë paratë që i kanë fituar me djersë e me gjak, për t’i zgjidhur problemet ekonomike dhe personale”, ka shtuar Galasi.
Për ta bërë procesin e rekrutimit më efikas dhe më transparent, ligji i ri u kërkon të gjithë burrave ukrainas të moshave 18 deri 60 vjeç të regjistrohen në ushtri dhe gjithmonë t’i kenë dokumentet me vete.
Gjithsesi, vetëm burrat e moshave 25 deri 60 vjeç janë subjekt i mobilizimit nën ligjin e ri. Limiti më i ulët është bërë nga 27 në 25 vjeç, por siç duket nuk do të bëjë diferencë të madhe për shkak të sfidave demografike të Ukrainës.
Emigrimi i lartë dhe shkalla e ulët e lindjeve në vitet e ‘90-ta dhe 2000-ta nënkupton se ka më pak njerëz të moshave 20-vjeçare, në krahasim me ata të moshave 30 dhe 40 vjeç.
Gratë që kanë kualifikime mjekësore ose farmaceutike duhet të regjistrohen në ushtri gjithashtu, edhe pse nuk janë të detyruara të shërbejnë.
Rregullat e reja kanë qenë të diskutueshme, kishte pasur mbi 4000 herë ndryshime të projektligjit para se ai të miratohej e kthehej në ligj.
“Dëshira për të luftuar”
Është e paqartë se sa njerëz do të thirren për të shërbyer. Në fund të vitit të kaluar, shefi i grupit parlamentar të partisë së Zelenskyt ka thënë se ushtria është duke kërkuar për rreth 500 mijë burra dhe gra për të shërbyer. Por komandanti i përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës Oleksandr Syrskyi ka thënë kohëve të fundit se rritja e numrave do të jetë e vogël.
Disa oficerë të ushtrisë janë duke u shqetësuar se kjo nuk do të funksionojë. Shqetësimi i tyre kryesor është se do të kenë njësi me burra që janë duke shërbyer sepse janë detyruar.
Pronari i shtëpisë printuese "GUROV I K", Dmytro Gurovi, tregon për dëmet e shkaktuara nga raketat ruse. Ai thotë se dëmet e arrijnë vlerën prej një milion dollarësh, por ai ka vendosur ta restaurojë biznesin.
“Ne kërkojmë njerëz që bashkohen vullnetarisht. Sepse ka diferencë të madhe mes dikujt që është rekrutuar në ushtri dhe dikujt që ka shkuar ta mbrojë vendin e tij”, ka thënë Dmytro Kulibaba, ushtar me Brigadën 114 të Mbrojtjes Territoriale.
“Dëshira për ta luftuar armikun është shumë e rëndësishme, së bashku me trajnimin, pajisjet dhe gatishmërinë”, i ka thënë ai CNN-it.
Galasi ka thënë se shumë njerëz janë të shqetësuar se nëse dërgohen në luftë, ata do të vendosen automatikisht në vijat e frontit – e cila nuk është e vërtetë, sipas tij.
“Nëse je specialist, për shembull, që është i angazhuar në IT, kontabilitet, menaxhim projektesh, madje edhe kuzhinierët e nëpunësit, atëherë Forcat e Armatosura kanë nevojë për ju… dhe ju gjithashtu mund ta jepni një kontribut mjaft të madh në fitoren e përbashkët duke u bashkuar me Forcat e Armatosura”, ka thënë ai. “Ne kemi disa njësi që punojnë me dronë që janë larg vijës së frontit. Njerëzit që janë të mirë me gjëra elektronike, madje edhe ata që pëlqejnë videolojërat, do ta mjeshtërojnë këtë specialitet”.
“Ndjenja e miqësisë”
Një pronar biznesi nga Kievi ka thënë se ai i ka shikuar opsionet para se t’i vinte në postë njoftimi për rekrutim. Ai e ka ditur se kjo do t’i vinte nga dita në ditë, ka thënë ai, por se nuk e ka ditur kur.
“Isha duke u bërë gati për këtë për një vit ose gjashtë muaj. Kam folur me shokët e mi që janë duke i shërbyer ushtrisë, i kam pyetur për gjithçka”, ka thënë 35-vjeçari, duke shpjeguar se ka dashur ta gjente njësinë që i përshtatej.
Ai burrë për momentin është në një qendër trajnimi dhe do t’i bashkëngjitet ushtrisë pas ca muajsh, prandaj mbetet anonim. Ai është duke i konsideruar dy opsione – ose t’u bashkohet forcave të zbulimit të gjurmëve të armikut, terrenin dhe aktivitetin civil, ose trupave anti-raketore.
Ai ka thënë se pranimi për të shërbyer ka qenë zgjedhje e qartë për të – pa marrë parasysh kërkesat nga të dashurit e tij për ta mos e bërë këtë.
“I mendon për opsionet kur të duhet ta marrësh një vendim të tillë. Si mund ta shikoj djalin tim në sy kur i them se isha diku? Nuk e di, nuk funksionon kështu për mua. Kam marrë një vendim moral dhe etik për veten. Dhe pastaj mu desh të zgjidhja për forcat ku do të shërbej (dhe me cilat ndihem rehat ta bëj këtë)”, ka thënë ai.
Galasi i ka thënë CNN-it se beson se kampanja e mobilizimit nuk ka shkuar mirë sepse nuk u jep njerëzve mjaftueshëm informacion.
“Kjo i frikëson njerëzit”, ka thënë ai. “Ata nuk e dinë se çfarë po ndodh në brigadat luftarake dhe kjo duhet t’ju shpjegohet atyre”.
Ai ka thënë se pavarësisht shqetësimeve fillestare, shumë ushtarë adaptohen mirë me jetën e tyre të re, duke e dhënë shembull një specialist të ri të IT-së, i cili ishte mobilizuar gjatë muajve të fundit.
“Sapo i është bashkuar ekipit, ai e ka parë që jeta në njësinë e këmbësorisë është ajo që e imagjinojnë civilët. Po, ajo është e rrezikshme dhe e vështirë. Por njerëzit e mirë atje, dhe të këqijtë nuk rrinë. Është si ndjesi miqësie. Dhe kjo është e rëndësishme”, ka shpjeguar ai.
IT-ja i ka mahnitur komandantët e tij menjëherë, ka shtuar ai.
“Ai ia ka dalë mirë gjatë misionit të tij të parë të luftarak në Robotyno, duke e ruajtur pozicionin e tij 400 metra larg rusëve. Ai jo vetëm që i është kundërpërgjigjur sulmeve, por gjithashtu ka marrë të burgosur”, ka thënë ai.
Por jo gjithkush është në gjendje ta durojë realitetin e jetës në vijën e frontit. Komandanti, i cili do të qëndrojë anonim, ka folur për një tjetër problem me mobilizimin, duke thënë se gjatë kohëve të fundit disa rekrutë nuk e kanë marrë trajnimin e nevojshëm për t’i bërë ballë presionit.
“Këmbësorisë që dërgohet në vijën e frontit, i duhet trajnim special për t’i bërë profesionalë. Sepse ata vinë këtu, i lëshojnë armët dhe largohen nga pozicioni i tyre”, ka thënë ai. “Duhet të ketë motivim për situatën e tanishme në ushtri dhe për ata që do të shërbejnë. Ne nuk mund t’i përdorim metodat e përdorura në Rusi dhe Bjellorusi - kapje dhe imponim - kjo nuk do të ndihmojë. Kjo vetëm sa do t’i shtyjë njerëzit të largohen nga pozicionet e tyre”.
Largimi
Por qartësisht, ushtria nuk është për gjithkënd. Një burrë ka vendosur t’i mënjanohet rekrutimit gjithsesi. Ai ka kërkuar të mbetet anonim.
“Nuk dua të vras njerëz, dhe në princip, nuk jam i gatshëm ta bëj atë. Nëse fillojnë bombardimet në vijën e frontit, mendoj se do të mbetem i hutuar dhe vetëm sa t’u shkaktoj probleme të tjerëve”, ka thënë ai. “Mendoj se jam më i dobishëm duke fituar para dhe duke ia sjellë ato shtetit, më shumë sesa duke gërmuar llogore ose duke i ruajtur objektet ushtarake”, ka shtuar ai.
Ai ka thënë se beson se Ukraina nuk ka mjaftueshëm armë për t’i rimarrë ushtarakisht territoret e pushtuara në luftë nga Rusia. E vetmja mënyrë për të vazhduar, ka thënë ai, është një marrëveshje politike që mund ta çojë Ukrainën drejt rimarrjes së tokave.
Burri ka thënë se nëse do ta merrte njoftimin për rekrutim, ai do të largohej nga vendi.
“Nuk dua të largohem; e di që gjërat nuk janë mirë në Evropë. Por nëse do të më duhej të vendosja në mes shkuarjes në luftë dhe largimit nga vendi, unë do ta zgjidhja largimin, do të jepja para për këtë. Jeta ime vjen e para. Dhe e kuptoj se ekziston një mundësi e madhe e vdekjes”, ka thënë ai.
Ushtarëve që janë duke shërbyer për momentin nuk u pëlqejnë burrat e tillë, të cilët thonë se nuk mund t’u bashkohen luftimeve.
“Ushtarët largohen ose për trajtim, ose se janë të lodhur ... normalisht që burrat që pinë kafe në kafene, që shkojnë në restorante, që fryjnë bicepsin dhe thonë se ‘nuk janë të lindur për të luftuar’ i nevrikosin ushtarët”, ka thënë Galasi.
Përveç nëse marrin leje të veçantë, burrat e moshave 18 deri 60-vjeçare janë të ndaluar të largohen nga Ukraina që nga fillimi i pushtimit të plotë dhe muajin e kaluar, qeveria i ka pezulluar shërbimet konsullore për burrat që nuk janë të regjistruar në ushtri.
Prapëseprapë, shumë përpiqen të largohen. Andrii Demchenko, zëdhënësi për Shërbimin e Ruajtjes Kufitare të Ukrainës, ka thënë se zyrtarët e tij arrestojnë njerëz që përpiqen ta kalojnë kufirin e Ukrainës gati përditë.
Disa janë në gjendje të rrezikojnë gjithçka duke u përpjekur të arratisen. Shërbimi Kufitar ka thënë se, që nga fillimi i pushtimit të plotë, trupat e 32 burrave janë gjetur në Lumin Tysa në kufi më Rumaninë dhe Hungarinë.