Ndërsa hetuesit nga Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë zbuluar punën e Ruja Ignatovas në tetor të 2017-s, herët në mëngjes ajo ka hipur në një aeroplan dhe është nisur nga Sofia për në Athinë, për të mos u parë më kurrë. Gjatë vitit të fundit, Hetimet e Shërbimit Botëror të BBC-së janë përpjekur të gjejnë të dhëna për atë që i ka ndodhur asaj dhe nëse është gjallë apo jo.
Në shtator të vitit 2019, një podcast i BBC-së filloi ta raportojë historinë e jashtëzakonshme të Ruja Ignatovas, grua e kërkuar nga FBI-ja pasi i ka mashtruar investitorët në shumë prej 4.5 miliardë dollarësh përmes kriptovalutës së saj false, para se të zhdukej.
Hetimet nga BBC-ja i kanë shikuar lidhjet e saj të ngushta me bosin e dyshuar bullgar të krimit të organizuar dhe pretendimet se ajo është vrarë brutalisht. A i ka shijuar Ignatova miliardat e vjedhura apo është vrarë nga vet njerëzit e paguar për ta mbrojtur?
Ruja Ignatova, e diplomuar në Universitetin e Oksfordit, u lind në Bullgari dhe u rrit në Gjermani. Ajo ka punuar drejt një karriere të suksesshme në financa para se ta krijonte kriptovalutën “OneCoin” në vitin 2014.
Ignatova arriti t’i bindte miliona njerëz rreth botës për të investuar në “OneCoin”, duke u premtuar se do të fitojnë shuma të mëdha parash sikur investitorët e hershëm të Bitcoinit.
Por në realitet, Ignatova – e njohur nga shumë si Dr. Ruja – ka krijuar një investim mashtrues të maskuar me zgjuarsi, që nuk ka pasur të dhënat digjitale siç kanë kriptovalutat legjitime sikurse Bitcoini.
Teksa në tetor të vitit 2017, hetuesit nga Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës iu afruan afruar zbulimit të punës së Ignatovas, herët në mëngjes ajo i hipi aeroplanit të Ryanairit nga Sofia për në Athinë, për të mos u parë më kurrë.
Gjatë vitit të fundit, Hetimet e Shërbimit Botëror të BBC-së u përpoqën të gjejnë të dhëna për atë që i ka ndodhur asaj dhe nëse është gjallë apo jo.
Çelës i kësaj ka qenë zbulimi i rrethit të njerëzve të ngushtë të Ignatovas.

“Engjëlli” mbrojtës i Ignatovas
Richard Reinhardti, i cili filloi hetimet për “OneCoinin” për Shërbimin e të Ardhurave të Brendshme të SHBA-së së bashku me FBI-në, ka treguar për një person, të cilin hetuesit nuk e kanë treguar publikisht më parë.
Burri të cilit i ishte dhënë detyra për ta mbajtur Ignatovan të sigurt mësohet të jetë Hristoforos Nikos Amanatidis, i njohur si “Taki”.
“Neve na është thënë, në mënyrë të supozuar se një burrë që merret me drogë, ka qenë të krye të sigurisë së saj fizike”, ka thënë Reinhardti në një intervistë në fund të vitit 2023. “‘Taki’ është përmendur më shumë se njëherë. Ai ishte temë e përsëritur”.
Kjo është lidhur me informacionet tjera – zyrtarët qeveritarë amerikanë kanë thënë në vitin 2019 se kreu i sigurisë së Ignatovas ka qenë figurë e njohur e krimit të organizuar në Bullgari, por nuk e kanë emëruar.
Ka qenë i njëjti për të cilin një jurist tjetër qeveritar amerikan ka thënë se “është përfshirë në zhdukjen” e Ignatovas.
Sipas Reinhardtit, Ignatova ka qenë kriminele shumë më e sofistikuar sesa e mendojnë njerëzit të jetë.
“Është si kriminel me jakë të bardhë e përzier me trafikant droge ose mafioz në steriode”, ka thënë ai.
Kjo teori duket se mbështetet në dokumentet e zbuluara të Europolit, të cilat tregojnë se – para zhdukjes së Ignatovas në vitin 2017 – policia bullgare kishte zbuluar lidhje mes saj dhe “Takit”.
Në këto dokumente, policia dyshon se “Taki” e ka përdorur rrjetin financiar “OneCoin” për t’i pastruar të ardhurat e trafikimit të drogës.
Në vendlindje, “Taki” gati ka një status mitik – si El Chapo ose Pablo Escobar. Ai dyshohet se është kreu i organizatave të krimit të organizuar bullgar dhe kontrabandues i madh i drogës. Ai dhe bashkëpunëtorët e tij janë hetuar në Bullgari për vjedhje me armë, kontrabandim të drogës dhe vrasje, por ai nuk është dënuar kurrë për njërën nga këto.
“Kur flasim për ‘Takin’, ai është kreu i mafisë bullgare. Ai është jashtëzakonisht i fuqishëm”, ka thënë ish-zëvëndësministri bullgar, Ivan Hristanov, i cili në vitin 2022 i ka hetuar pretendimet se ‘Taki’ i ka udhëhequr rrjetet kriminale me ndihmën e zyrtarëve të korruptuar – dhe beson se ky ka qenë rast i tillë.
“‘Taki’ është fantazma. Nuk do e shohësh kurrë. Vetëm dëgjon për të. Ai të flet ty përmes njerëzve të tjerë. Nëse nuk dëgjon, ti zhdukesh nga faqja e dheut”, ka thënë Hristanovi. “I vetmi person që mund ta mbrojë atë (Ignatovan) nga të gjitha këto hetime, duke i përfshirë ato nga agjencitë e huaja – ka qenë ‘Taki’”.
Qeveria bullgare nuk u është përgjigjur akuzave për zyrtarët e korruptuar. Zyra e prokurorit në kryeqytet, Sofje, ka thënë se “nuk mbulon krimet, e as personat që kanë mundur të kryejnë krime”.
“Taki” besohet se tani jeton në Dubai, ku Ignatova ka blerë një apartament luksoz dhe ku xhirollogaritë e saj bankare kanë marrë miliona dollarë nga mashtrimi i “OneCoinit”.
Ndërsa nuk dihet se si janë takuar “Taki” dhe Ignatova, ose nëse ai ka qenë i përfshirë me “OneCoinin” që nga fillimi, disa burime kanë thënë se ata kanë pasur marrëdhënie të afërta dhe personale dhe se ai është kumbari i vajzës së saj.
Një burim bullgar i afërt me Ignatovan ka thënë se ajo mund ta ketë paguar “Takin” deri në 100 mijë euro në muaj për ta mbrojtur.
Duket të ketë edhe lidhje të tjera financiare mes Ignatovas dhe “Takit”.

Zhdukja e provave
Dokumentet e Europolit përmendin një marrëveshje komplekse për ta shitur një tokë, në bregun bullgar të Detit të Zi, që lidh një nga kompanitë e Ignatovas me gruan e “Takit”.
Dokumentet sekrete të policisë i janë dhënë BBC-së nga Frank Schneider, ish-spiun dhe këshilltar i Ignatovas.
Ai ka thënë se shefja e tij e vjetër ka qenë duke punuar me “hajdutë” dhe “gangsterë”.
Kur është intervistuar Schneideri nga shtëpia e tij në Francë, ai ka qenë nën arrest shtëpiak, duke e pritur ekstradimin për në SHBA në lidhje me mashtrimin e “OneCoinit”. Megjithatë, ai nuk ka qenë gati të tregojë emra.
“Nuk do ju tregoj kush, sepse kam familje... Ky është krim shumë serioz i organizuar”, ka thënë ai.
Disa muaj pasi ka folur me BBC-në, Schneideri gjithashtu është zhdukur.
Por në fund, mbrojtësi i Ignatovas mund të jetë kthyer në agresor.
Në vitin 2022, gazetarit hetues bullgar Dimitar Stoyanov dhe kolegëve të tij nga media hetuese bird.bg, u është dhënë një raport policie, që është gjetur në shtëpinë e një oficeri të vrarë të policisë bullgare.
Në dokument, një informues policor e ka detajuar përgjimin e kunatit të dehur të “Takit”, duke i thënë se në fund të vitit 2018, Ignatova është vrarë sipas urdhrave të “Takit”, trupi i saj është gjymtuar dhe është hedhur nga një jaht në Detin Jon. Stoyanovi ka thënë se kjo dëshmi është “jashtëzakonisht e mundshme”.
Autenticiteti i dokumentit policor është konfirmuar nga zyrtarët bullgarë dhe disa bashkëpunëtorë kriminalë të “Takit” besojnë se teorinë që ai e ka vrarë atë, të jetë e vërtetë, ka thënë Stoyanovi.
Gjithsesi, BBC-ja nuk ka arritur ta verifikojë këtë pretendim.
Arsyeja sipas bashkëpunëtorëve është se Ignatova e kërkuar, është bërë detyrim për “Takin”, i cili ka dëshiruar t’i eliminonte lidhjet e tij me mashtrimin e “OneCoinit”.
Këta bashkëpunëtorë e përfshijnë Krasimir Kamenovin, i njohur si “Kuro”, i kërkuar nga Interpoli për akuza për vrasje.
Stoyanovi ka thënë se “Kuro” i ka thënë se e ka dëgjuar “Takin” duke e diskutuar biznesin e tij kriminal përballë Ignatovas dhe kur “Kuro” e ka sfiduar “Takin” nëse duhet ta bënte atë, “Taki” i është përgjigjur: “Mos u shqetëso, ajo është thuajse e vdekur”.
“Kuro” gjithashtu ka supozuar se ka folur me CIA-n për “Takin”, duke i përfshirë edhe pretendimet se “Taki” e ka urdhëruar vrasjen e Ignatovas. Burimet e afërta me BBC-në e kanë konfirmuar se ky takim është mbajtur në fund të vitit 2022.
Në maj të vitit 2023, “Kuro” është vrarë në shtëpinë e tij në Cape Town, së bashku me gruan dhe dy punonjësit e tij. Policia e Afrikës së Jugut është duke i kërkuar akoma vrasësit, por ish-zëvëndësministri bullgar Hristanov beson se vrasja e “Kuros” është e lidhur me “Takin”.
“Njerëz specifikë duhet të zhdukeshin sepse ata dinin shumë për ‘Takin’”, ka thënë ai. “Ka qenë ekzekutim publik që është dukur më shumë si deklaratë. ‘Bëj kujdes me kë merresh’”.
“Nuk ka nder mes hajdutëve”
Që nga publikimi i pretendimeve të vrasjes së Ignatovas, gazetari Dimitar Stoyanovi ka thënë se ai dhe kolegët e tij kanë marrë kërcënime me vdekje, duke e detyruar të largohet përkohësisht nga Bullgaria për herë të katërt në karrierën e tij.
Stoyanovi nuk pretendon ta dijë motivin e asnjërës prej vrasjeve të supozuara, por të dhënat dhe dëshmitarët tregojnë se që nga zhdukja e saj, një numër i pronave të saj bullgare është duke u përdorur nga njerëzit e lidhur me “Takin”.
“Taki” nuk është arrestuar kurrë për supozimet se e ka vrarë Ignatovan. Trupi i saj nuk është gjetur kurrë dhe hetuesit thonë se nuk kanë mjaft prova për ta arrestuar.
Ish-hetuesi i IRS-së Richard Reinhardt, mendon se Ignatova me gjasë ka vdekur. Edhe pse nuk ka ndonjë provë që e lidh vdekjen e saj me “Takin”, ai thotë se kjo përshtatet me mënyrën se si operojnë kartelet e drogës.
“Nuk ka nder mes hajdutëve... duke e ditur se sa të dhunshëm janë kartelet, nëse ‘Taki’ ka menduar se ajo ka përbërë kërcënim ndaj tij... ai më përpara do e vriste atë sesa të kapej”, ka deklaruar ai.
Avokatët e “Takit” nuk janë përgjigjur ndaj supozimeve të hetimit.
Në vitin 2022, Ignatova është vendosur në Listën e Dhjetë më të Kërkuarve të FBI-së – ku është ende.
Ekipi i BBC-së ka marrë disa pamje dhe informacione të ndryshme për vendndodhjen e Ignatovas pas vrasjes së saj të supozuar – duke përfshirë detaje të një operacioni të pasuksesshëm të policisë për ta kapur në vitin 2022 në Greqi.
Mund të ndodhë që thashethemet për vdekjen e saj janë manovër tjetër brilante për t’i larguar të gjithë hetuesit larg kapjes së saj.
Nëse kjo është çështja, teksa vitet kalojnë, mund të bëhet më e vështirë për Ignatovan të qëndrojë në arrati.
“Në një pikë bëhet sikur të jetë Elvis Presley akoma gjallë... Nuk ka shumë gjasa”, ka thënë Hristanovi.
Sipas Rainhardtit, FBI-ja “nuk i mban për qejf njerëzit në Listë”. Por ata mund ta largojnë dikë “nëse ka provë përfundimtare” që ka vdekur. Dhe duke i parë rrethanat, me Ruja Ignatovan mund të mos ketë kurrë.
Dhe me këtë, të paktën për tani, “Mbretëresha” e zhdukur e kriptos mbetet grua në kërkim.