Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka deklaruar të premten se negociatat me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) nuk janë “as të mençura dhe as të ndershme”, duke iu referuar vendimit të vitit 2018 gjatë mandatit të parë të Donald Trumpit si president, për t'u larguar nga marrëveshja nukleare.
Ayatollahu Ali Khamenei ka sugjeruar gjithashtu se “nuk duhet të mbahen negociata me këtë lloj të qeverisë”. Deklaratat e Khameneit përmbysin muaj të tërë sinjalesh nga Teherani drejt SHBA-së, që theksonin dëshirën e Iranit për të negociuar rreth programit të tij bërthamor, në këmbim të heqjes së sanksioneve ekonomike, raporton AP.
“Amerikanët nuk e respektuan pjesën e tyre të marrëveshjes”, u shpreh ai. “Personi i njëjtë që është në zyrë sot e shkeli marrëveshjen. Ai tha se do ta bënte, dhe e bëri”.
Reagimi i liderit suprem iranian, vjen pas nënshkrimit të një urdhri ekzekutiv nga presidenti Donald Trump të martën, që ka për synim të rrisë presionin ndaj Iranit në lidhje me programin e tij bërthamor.
Trump ka deklaruar se “ne nuk duam të jemi të ashpër ndaj Iranit”. “Ne nuk duam të jemi të ashpër ndaj askujt, por ata thjesht nuk duhet të kenë një bombë nukleare”, ka shtuar Trump.