Botë

Lideri suprem i Iranit kërcënon Izraelin dhe SHBA-në

Foto: Reuters

Lideri suprem i Iranit të shtunën ka kërcënuar Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës me “një përgjigje shkatërruese” për sulmet mbi Iranin dhe aleatët e tij, raportoi AP.

Ayatollah Ali Khamenei ka folur ndërsa zyrtarët iranianë po kërcënojnë gjithnjë e më shumë se do të ndërmarrin një sulm tjetër kundër Izraelit, pas sulmit të 26 tetorit që pati cak objektet ushtarake dhe lokacione të tjera e ku u vranë të paktën pesë persona.

Çdo sulm tjetër nga secila palë mund ta fusë Lindjen e Mesme në luftë më të gjerë.

“Armiqtë, qoftë regjimi sionist apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës, padyshim do të marrin një përgjigje shkatërruese ndaj asaj që po i bëjnë Iranit dhe kombit iranian e frontit të rezistencës”, ka thënë Khamenei përmes një videoje.

Khamenei nuk ka shpjeguar tutje më shumë për sulmin që ka kërcënuar se do ta ndërmarrë. Ai ka pasur qasje më të kujdesshme në adresimet e mëparshme, kur thoshte se zyrtarët do të shikonin për përgjigjen e Iranit dhe se sulmi i Izraelit “nuk duhet të ekzagjerohet e as të nënvlerësohet”.