Botë

Lideri suprem i Iranit: Kërcënimet nuk do ta çojnë SHBA-në askund

Ayatollah Ali Khamenei

Lideri suprem i Republikës Islamike të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei ka deklaruar të premten se kërcënimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj vendit të tij do të dështojnë, dhe ka ripërsëritur mbështetjen për grupin militant Houthi në Jemen, disa ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, e pati paralajmëruar Tehranin që të ndalojë mbështetjen e tyre, raporton AP.

“Amerikanët duhet ta kuptojnë se nuk do të arrijnë asgjë duke e kërcënuar Iranin”, ka thënë Khamenei
Presidenti amerikan, Donald Trump, pati shkruar të hënën në rrjetin social “Truth Social” se veprimet e Houthive lidhen me financuesin kryesor të grupit militant, Iranin, rrjedhimisht duke e paralajmëruar Tehranin se do “të vuante pasojat” nëse Houthit vazhdojnë sulmet e tyre ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq

E në anën tjetër, Khamenei ka hedhur poshtë pretendimet e presidentit amerikan.

“Grupet rajonale të rezistencës kanë ambiciet e tyre, Iranit nuk i duhen grupe satelite. Së pari çfarë do të thotë një grup satelit? Ata janë të vetmuar”, ka shtuar ai.

SHBA-ja ka nisur atë që e ka quajtur një valë vendimtare dhe të fuqishme sulmesh ajrore ndaj objektivave të Houthit të shtunën, si pjesë e përpjekjeve për të ndaluar sulmet e grupit militant ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq.