Lideri i ri i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, nuk i zgjati dorën ministres së Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, gjatë takimit të tyre në Damask të premten.
“Bild” shkruan se al-Sharaa nuk i zgjati dorën Baerbockut “vetëm sepse është grua”.
VIDEO:
⚡️German Foreign minister Baerbock who called for Lebanese civilians to be killed during the war is now meeting Al Julani in Syriapic.twitter.com/ZKFqJiF9QQ
— War Monitor (@WarMonitors) January 3, 2025
Në takim ishin prezent edhe ministri i Jashtëm i Francës, Jean Noel Barrot, me të cilin al-Sharaa i shtrëngoi duart.
Ata shprehën synimin për krijimin e marrëdhënieve të reja me Sirinë, në vizitën e parë që e bënë në këtë shtet, që pas rënies së regjimit të presidentit Bashar al-Assad.
Tek ka folur pas takimit me al-Sharaan dhe vizitës në Ambasadën Franceze në Damask që ka qenë e mbyllur që prej 2012-s, Barrot ka shprehur optimizmin për krijimin e një Sirie sovrane, të qëndrueshme dhe paqësore.
“Disa javë më parë lindi një shpresë e re, shpresa për një Siri që është sovrane, e qëndrueshme dhe paqësore. Ne ia detyrojmë këtë shpresë vendosmërisë dhe mobilizimit të sirianëve, të cilët do të doja t’i përgëzoja sot. Kjo shpresë është ende e brishtë dhe kjo është arsyeja përse Franca do të qëndrojë pranë sirianëve, ashtu siç ka bërë për 13 vjetët e fundit”, ka theksuar ministri francez, Barrot.
E ministrja gjermane Baerbock ka thënë se vizita e saj në Siri ka për synim bashkëpunimin me udhëheqjen e re, por e ka përmendur edhe të shkuarën e ndërlidhur me “Al-Qaedan” të grupit rebel që e rrëzoi Assadin.
“Udhëtimi im sot është sinjal i qartë për sirianët: Një fillim i ri politik midis Evropës dhe Sirisë, midis Gjermanisë dhe Sirisë, është i mundur. Por ne gjithashtu e dëgjojmë dhe e shohim dëshirën për modernizim dhe mirëkuptim me akterë të tjerë të rëndësishëm. Qëllimi tani është që Siria të bëhet edhe një herë anëtare e respektuar e komunitetit ndërkombëtar”, është shprehur Baerbock.
Të dy ministrat gjatë qëndrimit në Damask kanë takuar edhe përfaqësues të shoqërisë civile siriane dhe kanë vizituar burgun më famëkeq të Sirisë, kompleksin e madh Sednaya.
Që nga rrëzimi i Assadit, rebelë islamikë të udhëhequr nga grupi Hayat Tahrir al-Sham i Sharaas kanë bërë përpjekje për t’i bindur vendet arabe dhe komunitetin ndërkombëtar se do të qeverisin në emër të të gjithë sirianëve dhe se nuk do ta “eksportojnë” revolucionin islamik.
Gjermania dhe Franca planifikojnë të ofrojnë ndihmë dhe këshillat e tyre teknike për Sirinë ndërsa vendi harton një kushtetutë të re, ka treguar Barrot.
Ai ka bërë thirrje për një zgjidhje politike që luftëtarët kurdë në Siri të integrohen në shtetin sirian, duke shtuar se duhet të arrihet një armëpushim i përhershëm, por ai nuk është përgjigjur kur u pyet se kur BE-ja mund të heqë sanksionet ndaj Sirisë.