Forcat rebele siriane kanë thënë se planifikojnë të mbyllin burgjet famëkeqe të drejtuara nga presidenti i rrëzuar, Bashar al-Assad dhe të kapin të gjithë ata që janë përfshirë në vrasjen ose torturimin e të burgosurve.
Udhëheqësi rebel, Ahmed al-Sharaa, i njohur gjithashtu si Abu Mohammed al-Jolani, ka thënë se do të shpërndajë forcat e sigurisë të regjimit të mëparshëm, në një deklaratë të parë nga agjencia e lajmeve Reuters.
Videot që tregojnë mijëra të burgosur duke u liruar nga burgu famëkeq Saydnaya, i njohur nga grupet e të drejtave si një "thertore për njerëzit", u shfaqën pas rënies së qeverisë së Assadit të dielën.
Pothuajse 60,000 njerëz u torturuan dhe u vranë në burgjet e drejtuara nga Assadi, sipas grupit monitorues me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut.
Grupi militant islamik i Jolanit, Hayat Tahrir al-Sham (HTS), udhëhoqi fraksionet e tjera rebele siriane në një ofensivë të rrufeshme që rrëzoi sundimin 54-vjeçar të dinastisë Assad.
Assad u largua në Rusi në orët e para të së dielës, ku ai dhe familja e tij kanë marrë azil, pasi rebelët pushtuan kryeqytetin, Damask.
Në një deklaratë të veçantë, Jolani ka thënë se nuk mund të flitej për falje për ata që morën pjesë në torturimin ose vrasjen e të burgosurve.
"Ne do t'i ndjekim ata në Siri dhe do të kërkojmë nga vendet që të dorëzojnë ata që ikën në mënyrë që të arrijmë drejtësinë”, ka thënë ai.
Që nga rënia e presidentit Bashar al-Assad, sirianët kanë nxituar drejt burgjeve famëkeqe të regjimit, duke kërkuar dëshpërimisht për të dashurit e tyre.
Në një raport të vitit 2022, Shoqata e të Paraburgosurve dhe të Zhdukurve në Burgun e Saydnaya (ADMSP) me bazë në Turqi ka thënë se Saydnaya "u bë në mënyrë efektive një kamp vdekjeje" pas fillimit të luftës civile në vitin 2011.
Jolani ka thënë gjithashtu se ai do të shpërndajë forcat e sigurisë të ish-regjimit të Assadit.
Në deklaratën e parë nga Reuters, Jolani ka thënë po ashtu se grupi i tij po punonte me organizatat ndërkombëtare për të siguruar vendndodhjen e mundshme të armëve kimike.
Midis vjetëve 2013 dhe 2018, Human Rights Ëatch dokumentoi të paktën 85 sulme me armë kimike në Siri, duke akuzuar qeverinë e rrëzuar si përgjegjëse për shumicën e tyre. Mirëpo, qeveria e Assadit e ka mohuar të ketë përdorur ndonjëherë armë kimike.