Botë

Lideri i mafias japoneze pranon fajësinë për trafikim të materialit bërthamor, narkotikëve e armëve

Takeshi Ebisawa

Lideri i një grupi kriminal japonez të mafias japoneze “Yakuza”, Takeshi Ebisawa, 60-vjeqar, e ka pranuar fajësinë për bashkëpunimin me disa rrejte kriminale për të trafikuar materiale bërthamore, duke përfshirë uranium dhe plutonium, nga Birmania në vendet tjera, si dhe trafikim ndërkombëtar të narkotikëve dhe armëve.

Ebisawa e ka pranuar fajësinë për gjashtë nga akuzat në padinë fillestare. Dënimet për akuzat e pranuara, variojnë nga 10 vjet deri në burgim të përjetshëm. 

Një gjykatës i Gjykatës Federale në SHBA do të vendosë për dënimin final. 

Ndërkohë që në një njoftim të Departamentit të Drejtësisë në SHBA thuhet se gjykatësi i gjykatës në Manhattan Edward Y. Kim, ka konstatuar se Ebisawa ka trafikuar material nuklearë, duke përfshirë edhe plutonium me kapacitet për bombë, jashtë Birmanisë. 

“Në të njëjtën kohë, ai ka punuar për të dërguar sasi shumë të mëdha të heroinës dhe metamfetaminës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të marrë në këmbim armë të rënda ushtarake, si raketa tokë-ajër për përdorim në betejat e Birmanisë dhe ka bërë pastrim parash që ai besonte se janë para të trafikuesve të narkotikëve nga New York në Tokio”, citohet të këtë thënë gjykatësi.

Në bazë të dokumenteve dhe provave të publikuara të gjykatës, që nga viti 2019, DEA kishte hetuar lidhjet e Ebisawas me trafikimin e narkotikëve dhe armëve. 

Gjatë hetimit, thuhet se Ebisawa ia paraqiti një agjenti të infiltruar të DEA-s (UC-1) lidhjet e tij, me rrjetin ndërkombëtar të trafikimit, nga Japonia, Tajlanda, Birmania, Shri Lanka, dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe disa vende të tjera, me qëllim të trafikimit të sasive të mëdha të narkotikëve dhe armëve. 

Në njoftim thuhet se Ebisawa dhe rrjeti i tij kriminal, duke përfshirë edhe disa të paditur në rastin e njëjtë, negociuan disa transaksione të narkotikëve dhe armëve me agjentin e infiltruar.  

Ebisawa ka punuar që të lidhte marrëveshjen me UC-1, për marrjen e raketave tokë-ajër, si dhe disa armëve të tjera të rënda të prodhuara në SHBA, me qëllim të përdorimit nga disa grupe rebele etnike në Birmani, dhe si pagesë të pjesshme ka dhënë sasi të mëdha të heroinës dhe metamfetaminës. 
Tutje në njoftim thuhet se Ebisawa e dinte se armët ishin të prodhuara në SHBA dhe ishin marrë nga bazat ushtarake të SHBA-së në Afganistan. Ai thuhet se planifikoi shpërndarjen e heroinës dhe metamfetaminës në New York. 

Ebisawa akuzohej se në një rast tjetër kishte dashur t’ia shesë UC-1 500 kilogramë të metamfetaminës dhe 500 kilogramë të heroinës për shpërndarje në New York.

Në fillim të vitit 2020, Ebisawa e informoi UC-1 dhe një burimin tjetër sekret të DEA-s (CS-1) se ai kishte qasje te një sasi e madhe e materialit bërthamorë që donte të shiste. Më vonë gjatë atij viti ai i kishte dërguar UC-1 disa fotografi me disa substanca të ngurta me matës të rrezatimit Geiger, si dhe disa dokumente që Ebisawa kishte thënë se ishin analiza laboratorike që tregonin se materiali kishte prezencë të toriumit dhe uraniumit. 

Në përgjigje të ofertave të shpeshta të Ebisawas, thuhet se UC-1 u pajtua si pjesë e hetimit të DEA-s, të ndihmoj në gjetjen e një blerësi bashkëpunëtorë i UC-1 i cili pozonte si një gjenerali Iranian, për përdorim në një program të armëve bërthamorë. 

Pastaj Ebisawa thuhet se ofroi të furnizonte gjeneralin me “plutonium” që do të ishte “më i mirë” dhe “më i fuqishëm” se uraniumi për këtë qëllim. 

Ebisawa kishte propozuar që bashkë me disa bashkëpunëtorë tjerë, që burimi kryesor i uraniumit (CC-1) t’i shiste uranium gjeneralit përmes Ebisawas dhe ai të merrte armë si këmbim për materialin bërthamor.

Pastaj, me 4 shkurt të 2022, në një konferencë virtuale, njëri nga bashkëpunëtorët e Ebisawas i kishte thënë agjentit të DEA-s (UC-1) se CC-1 kishte më shumë se 2,000 kilogramë thorium-232 dhe më shumë se 100 kilogramë uranium U308 – e gjetur në një koncentrat të uraniumit pluhur e njohur zakonisht si “tortë e verdhë” – si dhe që CC-1 mund të prodhojë deri në pesë tonë materiale bërthamore në Birmani.

Tutje thuhet se njëri nga bashkëpunëtorët kishte bindur CC-1 të dërgonte prova të uraniumit dhe toriumit, të cilat bashkëpunëtori do të ia tregonte blerësit potencial të UC-1. Bashkëpunëtori u sigurua që materiali të ishte i paketuar për të bllokuar rrezatimin. Pas një jave, thuhet se Ebisawa dhe bashkëpunëtorët e tij u takuan disa herë me UC-1 dhe CS-1 në Azinë juglindore, për të diskutuar marrëveshjet për drogë, armë dhe materialet bërthamore. 

Në njoftimin e Departamentit të Drejtësisë në SHBA thuhet se gjatë njërit prej takimeve, bashkëpunëtori i Ebisawas i kërkoi UC-1 ta vizitoi atë në dhomën e hotelit. Brenda dhomës, bashkëpunëtori i tregoi UC-1 dy kontejnerë plastikë. Të dyja paketimet thuhet se mbanin substancë të verdhë pluhur (substancë bërthamore), që bashkëpunëtori e kishte shpjeguar si “tortë e verdhë”. Ai tha se njëri kontejner përmban uranium U308, kurse tjetra përmban Thorium-232. 

Me asistencën e autoriteteve të Tajlandës, shembujt e materialit bërthamor u konfiskuan dhe iu transferuan autoriteteve ligjore në SHBA-së. Tutje thuhet se një laborator i forenzikës nukleare në SHBA, analizoi dhe përfundoi se të dy kontejnerët përmbanin sasi të detektueshme të uraniumit, toriumit dhe plutoniumit. Në veçanti laboratori zbuloi se izotopet e plutoniumit të gjetura janë të nivelit për bombë, që i bie se plutoniumi i prodhuar në sasi të bollshme, do të mund të përdorej në armë bërthamore.

DEA po e heton rastin me asistencë nga zyrat e DEA-s në Tokio, Bangkok, Chiang Mai, Xhakarta, Kopenhagë, New York dhe në New Dehli, si dhe me Zyrën ndërkombëtare të Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së, dhe bashkëpunëtorët tanë ligjorë në Indonezi, Japoni, dhe Mbretërinë e Tajlandës.