Botë

Lideri i kurdëve bën thirrje për çarmatosje

Abdullah Ocalan

Lideri i militantëve kurd, Abdullah Ocalan, ka kërkuar nga ndjekësit e tij në Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) t’i dorëzojnë armët dhe të shkrijnë grupin, potencialisht duke i dhënë fund konfliktit të gjatë me dekada me Turqinë, e i cili vlerësohet se ka marrë jetën e më shumë se 40,000 njerëz.

“Jam duke bërë thirrje për dorëzimin e armëve, dhe e marrë përgjegjësinë historike të kësaj thirrjeje. Të gjitha grupet duhet t’i dorëzojnë armët dhe PPK-ja duhet të shuhet vetë”, ka thënë lideri i burgosur i lëvizjes të enjten, bazuar në një deklaratë që është lexuar nga ligjvënësit turq.

Ocalan ka deklaruar se për më shumë se një mijë vjet, “marrëdhëniet turke dhe kurde janë definuar nga kushtet e bashkëpunimit të dyanshëm dhe aleancës”, e cila u thye në 200 vjetët e fundit. “Sot, detyra kryesore është të ristrukturojmë marrëdhënien historike, që është bërë shumë e ndjeshme”, ka shtuar ai.

Turqia ka qenë në luftë me PKK-në për gati pesë dekada. Pjesa dërrmuese e konfliktit u fokusua në qëllimin e grupit për krijimin e shtetit të pavarur kurd në juglindje të Turqisë, por në vend të kësaj gjatë vjetëve të fundit grupi ka bërë thirrje për autonomi brenda Turqisë.

“Nuk ka alternativë ndaj demokracisë në përpjekjet dhe realizimin e një sistemi politik. Konsensusi demokratik është mënyra fondamentale”, ka deklaruar Ocalan. Ai ka shtuar se PKK-ja ka marrë mbështetje nga kurdët në të kaluarën sepse “kanalet e politikave demokratike ishin të mbyllura” për ta.

Në muaj e fundit, pritjet për paqen kurdo-turke u shtuan nga një lëvizje e papritshme nga ligjvënësi turk i të djathtës ekstreme Devlet Bahceli, aleat i presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, i cili e ftoi Ocalanin të shkonte në Parlamentin e Turqisë dhe të “deklaronte se ai i ka dorëzuar armët”.

Ocalan ka bërë thirrje të ngjashme ndaj ndjekësve të tij një dekadë më herët, por procesi i paqes së vitit 2013-të shpejt kolapsoi pas rritjes së tensioneve, duke shtyrë Turqinë dhe PKK-në përsëri në një luftë të përgjakshme duke përfunduar armëpushimin dyvjeçar.

Disa ekspertë kanë deklaruar se vite lufte kanë lodhur PKK-në dhe se Erdogani është duke shfrytëzuar mundësinë për ta përfunduar konfliktin në atë mënyrë që siguron se Turqia del fitimtare.

Berkay Mandiraci, analist turk në Grupin Ndërkombëtar të Krizave në Bruksel, ka deklaruar se Turqia është duke u munduar të përfundojë konfliktin “me shumë mundësi sipas kushteve të saj”, duke shtuar se “pas dekadave të luftimeve të mëdha, grupi është dobësuar shumë”.

“Ankaraja është duke ndjekur një strategji dualiste: duke rritur presionin ushtarak derisa angazhohet në manovrim politik”, ka deklaruar Mandiraci për CNN. “Mesazhi duket se do të jetë: dorëzoni armët pa kushte ose përballuni me pasojat”.

Mbetet të shihet se çfarë apo nëse do të bëjë ndonjë lëshim qeveria e Erdoganit ndaj PKK-së ose kurdëve të Turqisë në këmbim.

Deklarata e Ocalanit mund të ketë implikime të mëdha në rajon, veçanërisht në Siri, ku milicitë të lidhura me PKK-në të quajtura Njësitë e Mbrojtjes së Popullit (YPG) janë forcat kryesore të mbështetura nga SHBA-ja për të luftuar ISIS-in.

Milicitë e mbështetura nga Turqia në Siri kanë zhvilluar luftime të mëdha me YPG-në që nga rënia e ish-liderit sirian Bashar al-Assad në dhjetor. Është e paqartë nëse thirrja për paqe nga Ocalan mund të reflektojë në mesin e militantëve kurdë në Siri dhe Irak.

Në një deklaratë për CNN, një zëdhënës i YPG-së ka lavdëruar “mesazhin historik” të së enjtes nga Ocalani. Ai ka thënë se ky mesazh “u shërben interesave të të gjithë popujve në rajon, popullit kurd, turqve, armenëve, dhe të gjithë komuniteteve të tjera që jetojnë në Lindjen e Mesme”.

“Sigurisht mesazhi do të ketë efekte të mëdha, veçanërisht në krizat që nuk janë të zgjidhura në rajon. Shpresojmë se mesazhi i tij do të jetë udhërrëfyes për rregullimin e krizave ekzistuese, veçanërisht në Siri ku kemi hyrë një fazë të re. Është shpresa jonë që konfliktet do të ndalojnë, demokracia do të sundojë, problemet ekzistuese do të zgjidhen përmes dialogut dhe popujt në rajon në mënyrë të barabartë do të shijojnë të drejtat e tyre”, ka deklaruar zëdhënësi Siyamend Ali.

Lideri i ri i Sirisë, presidenti Ahmed al-Sharaa, ka bërë thirrje që të gjitha fraksionet e armatosura në vend, përfshirë edhe YPG-në, të integrohen në ushtrinë kombëtare të Sirisë. Kjo lëvizje është përkrahur nga Turqia. Gjithsesi, YPG-ja ka kërkuar formimin e njësive speciale brenda ushtrisë si kusht për të marrë pjesë.

Ushtria turke ka deklaruar të enjten se i ka vazhduar operacionet kundër “grupeve terroriste” në Siri dhe Irak.

SHBA-ja, Bashkimi Evropian dhe Turqia kanë klasifikuar PKK-në si grup terrorist.

Ocalan ka themeluar PKK-në në vitin 1978, si grup separatist në Turqi, si pjesë e lëvizjes më të madhe separatiste nga kurdët e shpërndarë në rajon, në Irak, Siri.

Përgatiti Shkëlzen Dema