Botë

Lideri i Hezbollahut i quan “shpallje lufte dhe masakër” shpërthimet e pejxherëve e radiolidhjeve

Hassan Nasrallah

Lideri i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, i ka quajtur shpërthimet e pejxherëve dhe radiolidhjeve të anëtarëve të grupit të tij militant si “krime lufte apo të paktën shpallje lufte”. 

Ai e ka fajësuar Izraelin për shpërthimin e pejxherëve dhe te radiolidhjeve, duke e quajtur “masakër”. Rreth 4000 pejxherë janë shënjestruar tha ai.  Izraeli nuk ka komentuar këtë.

Ai ka thënë se disa prej të vdekurve ende nuk janë përfshirë në shifra. Në dy sulmet u vranë të paktën 37 persona dhe u lënduan rreth 3000. Dyshohet se agjencia e inteligjencës e Izraelit, Mossad, qëndron prapa sulmit. 

Nasrallah ka akuzuar Izraelin se ka tentuar të vrasë deri 4000 persona në të njëjtën kohë dhe ka thënë se sulmet e të mërkurës kanë pasur qëllim të vrasin edhe 1000 tjerë. 

“Ky është terrorizëm i pastër. Ne do t’i quajmë masakra e të martës dhe masakra e të mërkurës. Këto janë krime të luftës apo të paktën shpallje lufte. Zoti është i mëshirshëm dhe parandaloi shumë vdekje dhe lëndime. Një numër i pejxherëve ishin të fikur. Disa nuk ishin shpërndarë ende”, tha Nasrallah, raporton “BBC”. 

Derisa Nasrallah po fliste Forcat e Mbrojtjes së Izraelit po kryenin sulme ajrore ndaj grupit në Liban.

Ushtria e Izraelit tha se “po sjell siguri në veri të Izraelit, në mënyrë që qytetarët të kthehen në shtëpia". 

Ushtria e Izraelit ka thënë se sulmet e fundit janë për t'i “ulur aftësitë terroriste të Hezbollahut”, duke iu referuar sulmeve ajrore. 

Aeroplanët izraelitë kanë shkaktuar zhurmë të madhe mbi Bejrut derisa Nasrallah po mbante fjalimin. 

Nasrallah ka thënë se sulmet e të martës dhe të mërkurës ishin të paprecedentë.  Ai tha se Izraeli tentoi që për dy minuta të vriste deri 5000 veta. 

Ai tha se shpërthimet ishin të paprecedentë si në histori të Libanit ashtu edhe botës. 

Nasrallah ka thënë se Hezbollahu e ka ndërmend të përgjigjet. 

“Në emër të gjithë martirëve, atyre që u lënduan, dhe në emër të gjithë atyre që luftuan për Gazan, ne i themi Netanyahut dhe Gallantit, armikut, se fronti libanez nuk do të ndalet para se të ndalet agresioni në Gaza. Rezistenca në Liban nuk do të ndalojë së përkrahuri njerëzit në Gaza dhe Bregun Perëndimor”, tha Nasrallah. 

Nasrallah ka thënë se izraelitët nuk do të kthehen në veri derisa të mos përfundojnë luftimet në Gaza.

“Ne i quajmë ata okupues në Palestinë. Na keni sfiduar ne dhe ne do të ngrihemi. I them Netanyahut dhe Gallantit: nuk do ta arrini qëllimin. Nuk do të jeni në gjendje të ktheni ata njerëz në veri. Mënyra e vetme që të bëni këtë është ta ndalni agresionin në Gaza dhe në Bregun Perëndimor. Kjo është mënyra e vetme”, tha Nasrallah. 

Rreth 60 mijë persona janë evakuuar nga veriu i Izraelit për shkak të sulmeve ditore nga Hezbollahu.

Sulmet e Hezbollahut nisën pas fillimit të luftës mes Izraelit dhe Hamasit më 7 tetor të vitit të kaluar. Lufta nisi kur militantët e Hamasit sulmuan në jug të Izraelit duke vrarë rreth 1200 persona, kryesisht civilë, e marrë afro 250 pengje. Izraeli nisi më pas ofensivën në Gaza, ndërsa janë vrarë mbi 41 mijë palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.

Nasrallah ka thënë se Hezbollahu do të hakmerret në një mënyrë që Izraeli “mund ta presë apo të mos e presë”. 

"Nuk do të flas për vend, kohë, lokacion apo detaje. Do ta shihni kur do të ndodh. Detajet s’do t’i tregojmë pasi jemi në një fazë shumë të ndjeshme të betejës”, tha Nasrallah.  


Udhëheqësi i Hezbollahut: Kërcënimi i Izraelit do të ketë pasoja të rënda

Udhëheqësi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, ka paralajmëruar se kërcënimi i Izraelit do të ketë pasoja të rënda për të. 

Nasrallahu ka thënë se sulmet do të përballen me përgjigje të cilat ata nuk mund t’i presin. 

“Nuk do të flas për vendin, kohën, vendndodhjen, detajet. Do ta zbuloni kur të ndodhë. Ajo do të ndodhë. Detajet nuk do t'i zbulojmë tani, sepse tani jemi në një fazë shumë të ndjeshme të betejës”, ka thënë ai.

Derisa ka folur për zotimin e Izraelit për kthimin e njerëzve të zhvendosur nga sulmet e Hezbollahut në veri të vendit, Nasrallahu ka thënë se Izraeli nuk do ta arrijë qëllimin. 

"I them Netanyahut se nuk do ta arrini këtë qëllim. Nuk do të jeni në gjendje t'i ktheni njerëzit në veri. E vetmja mënyrë që mund ta bëni këtë është duke ndaluar agresionin në Gazë dhe Bregun Perëndimor. Kjo është e vetmja rrugë”, ka shtuar ai.