Botë

Lideri çeçen, Ramzan Kadyrov akuzon ligjvënësit rusë për komplot për ta vrarë

Ramzan Kadyrov

Ramzan Kadyrov dhe Vladimir Putin

Foto: Associated Press

Udhëheqësi çeçen, Ramzan Kadyrov ka akuzuar ligjvënësit rusë nga rajonet fqinje për përpjekje për të organizuar vrasjen e tij, dhe i kërcënoi ata me “gjakmarrje" nëse nuk e provojnë të kundërtën, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve TASS.

TASS citoi komentet në gjuhën çeçene të Kadyrovit, një aleat i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin, në një takim të zyrtarëve çeçenë të sigurisë. Video e takimit u publikua në kanalin personal Telegram të Kadyrov të mërkurën, raporton Reuters.

"Ka dëshmitarë, ka njerëz të cilët u përpoqën t’i porosisnin, të cilët i pyetën se sa do të merrnin për porosinë", citohet të ketë deklaruar Kadyrov.

Kadyrov raportohet të ketë përmendur tre anëtarë të parlamentit rus, dy nga Dagestani dhe një nga Ingushetia për komplotin e pretenduar.

“Nëse nuk vërtetojnë të kundërtën, unë do të shpall zyrtarisht gjakmarrje”, citohet të ketë thënë ai. 

Çeçenia kufizohet me Dagestanin dhe Ingushetinë.

Një ish-luftëtar çeçen për pavarësinë që luftoi forcat ruse gjatë përpjekjes së rajonit kryesisht mysliman për t'u shkëputur në vitet 1990, Kadyrovi kaloi përfundimisht në anën e Moskës. Ai është bërë lider i Çeçenisë në vitin 2007, tri vjet pas vrasjes së babait të tij.

Putini i ka dhënë Kadyrovit liri për ta drejtuar Çeçeninë në këmbim të ruajtjes së stabilitetit në rajon. Ai është bërë një lojtar i rëndësishëm në politikë dhe ushtri, duke përfshirë sigurimin e ushtarëve për të ndihmuar përpjekjet luftarake të Rusisë në Ukrainë.