Kryeministri Britanik, Keir Starmer do të presë një samit të rëndësishëm të liderëve evropianë dhe kanadezë në Londër.
Takimi pritet të mbahet të dielën në orën 14:00 me kohë lokale, për të diskutuar mbështetjen për Ukrainën, raporton BBC.
Kjo vjen disa ditë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe presidenti amerikan, Donald Trump patën një përplasje të zjarrtë në Zyrën Ovale të premten.
Zelensky, i cili arriti në Londër menjëherë pas udhëtimit nga Washingtoni të premten, pritet të takohet edhe me mbretin Charles më vonë të dielën.
LEXO EDHE:
Liderët evropianë: Evropa është zgjuar
Pas samitit të Londrës që u zhvillua të dielën për çështjen e Ukrainës, liderët evropianë kanë dalë me reagime mbi situatën. Kryeministri polak, Donald Tusk, është shprehur se Evropa është zgjuar pas këtij takimi, duke shtuar se liderët shprehën gatishmërinë të ndihmojnë Ukrainën kundër agresionit rus.
Ai ka shkruar në X se “nevojitet bashkëpunim i ngushtë transatlantik dhe forcim i kufirit lindor”.
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka thënë se ajo që s'mund të përballohet është një paqe që nuk zgjat, raportoi BBC-ja.
Ajo ka kërkuar për kujdes të shtuar.
“Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm kur vlerësojmë atë që po propozohet, veçanërisht në përgjigje të kësaj pyetjeje kyçe: a mund të cenohet kjo paqe? Sepse, për fat të keq, ne e kemi parë këtë të ndodhë në të kaluarën”, ka shtuar Meloni.
Kryeministri aktual gjerman, Olaf Scholz, ka thënë se çelësi për siguri është aleanca transatlantike.
Ai është shprehur se aleanca është forcuar viteve të fundit me anëtarë të rinj dhe shpenzime të mbrojtjes, duke kërkuar që kjo rrugë të ndiqet edhe në të ardhmen.
Ndërsa, kryeministri holandez, Dick Schoof, ka thënë se Evropa duhet të marrë rol më të madhe në garancimin e sigurisë për kontinentin tonë.
Ai ka shtuar se raportet e mira me vendet transatlantike duhet të jenë të domosdoshme.
Von der Leyen: Duhet të përgatitemi për më të keqen
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar pas përfundimit të samitit të liderëve evropianë në Londër se është e rëndësishme që të rriten shpenzimet për mbrojtjen, dhe të bëhen përgatitje për më të keqen.
"Tani është me rëndësi të madhe që të rrisim shpenzimet...është e rëndësishme që të përgatitemi për më të keqen”, ka thënë ajo raporton BBC.
Ajo ka shtuar se kanë diskutuar nevojën për garanci gjithëpërfshirëse të sigurisë, duke përfshirë vendosjen e Ukrainës në një pozicion të fortë dhe sigurimin që ajo të ketë mjetet për të "fortifikuar dhe mbrojtur" veten.
Von der Leyen i ka dërguar gjithashtu një mesazh presidentit të SHBA-së, Donald Trump, duke thënë se "Ne jemi të gatshëm së bashku me ju për të mbrojtur demokracinë, për të mbrojtur parimin se ekziston një shtet ligjor, që nuk mund të pushtoni fqinjin tuaj ose nuk mund t'i ndryshoni kufijtë me forcë".
“Është në interesin tonë të përbashkët që të parandalojmë luftërat e ardhshme”, ka shtuar ajo.
Përfundon samiti i liderëve në Londër
Ka përfunduar samiti i organizuar nga kryeministri britanik, Keir Starmer në Londër të dielën, me disa nga homologët e tij evropianë.
Samiti i organizuar për Ukrainën dhe sigurinë e Evropës, është pëmbyllur pas rreth dy orësh diskutimi, raporton BBC.
Kryeministri Starmer pritet të dalë së shpejti në një konferencë për media ku do të tregojë më shumë për ato që janë diskutuar me liderët evropianë dhe kryeministrin e Kanadasë.
Starmer: Ky është moment historik për sigurinë e Evropës
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, i rrethuar nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron i Francës, ai i Ukrainës,Volodymyr Zelensky, dhe liderë të vendeve të tjera të Evropës dhe po ashtu Kanadasë, ka thënë në hapjen e samitit për sigurinë, se ky është një moment historik për sigurinë e Evropës.
“Ne jemi të gjithë me ju, me Ukrainën, për aq kohë sa duhet”, ka thënë Starmer.
Sipas tij, “arritja e një rezultati të mirë për Ukrainën nuk është vetëm një çështje e së drejtës apo e të gabuarës, është jetike për sigurinë e çdo kombi këtu dhe shumë të tjerëve gjithashtu”, është shprehur Starmer, raporton The Guardian.
Kryeministri britanik ka thënë se ai synon të punojë në një plan që Ukraina "më pas ta diskutojë atë me SHBA-në dhe ta çojnë përpara së bashku".
Bisedimet e së dielës në Londër do të përqendrohen në atë se si mund të ofrohet paqe e drejtë dhe e qëndrushme, ka thënë Starmer, duke theksuar se edhe pse Rusia flet për paqen, ajo po vazhdon agresionin mbi ukrainasit.
Liderët evropianë mbërrijnë në Londër për samitin e Ukrainës
Një numër i madh i liderëve evropianë kanë mbërritur tashmë në Lancaster House në qendër të Londrës, ku Sir Keir Starmer po pret një samit ndërkombëtar për sigurinë.
Ndër të parët që janë pritur nga Starmer janë presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri i Polonisë Donald Tusk, raporton Sky News.
Mark Rutte, sekretari i përgjithshëm i NATO-s do të jetë po ashtu i pranishëm.
Në samitin ku do të flitet për Ukrainën dhe sigurinë e Evropës kanë mbërritur të dielën edhe kryeministri suedez, Ulf Kristersson, kryeministri norvegjez Jonas Gahr Støre, ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan, kryeministri i Republikës Çeke, Petr Fiala, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, kryeministrja daneze Mette Frederiksen dhe kryeministri holandez Dick Schoof.