(E përditësuar 15:39) - Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se Rusia nuk dëshiron “asnjë lloj të paqes” dhe se sanksionet ndaj saj duhet të qëndrojnë në fuqi derisa të arrihet një marrëveshje e tillë.
Zelensky në një deklarim për media pas samitit me liderët e vendeve evropiane të mbajtur të enjten në Paris ka falënderuar Francën dhe Britaninë e Madhe për mbështetjen e tyre, tek ka shtuar se heqja e sanksioneve ndaj Rusisë në rrethanat e tanishme do të ishte një “katastrofë për diplomacinë”.
Ai gjithashtu ka thënë se pakot e reja ushtarake për të mbështetur Ukrainën kanë qenë në tryezë dhe ka pasur pajtim të përbashkët për mënyrën se si të ushtrohet presion mbi Rusinë.
Sipas liderit ukrainas, grupi i vendeve që u mblodhën të enjten në Paris është njëkohësisht duke punuar në drejtim të garancive të sigurisë për Ukrainën.
Macron: Për Ukrainën jam në kontakt të vazhdueshëm me Trumpin
Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka mirëpritur rolin e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në bisedimet e paqes për Ukrainën, tek ka theksuar se ata të dy janë në “kontakt të vazhdueshëm”.
Ai ka thënë se qëllimi i koalicionit është i dukshëm.
“Në thelb, për ta fituar paqen, ne duhet ta vendosim Ukrainën në pozicionin më të mirë të mundshëm për të negociuar dhe për të garantuar se paqja e negociuar do të zgjasë dhe mbi të gjitha është e qëndrueshme”, ka deklaruar Macron pas samitit të zhvilluar në Paris mes shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe disa prej vendeve anëtare të NATO-s .
Macroni ka ripërsëritur deklaratat e liderëve të tjerë evropianë, duke thënë se “asnjë sanksion nuk duhet të hiqet” kundër Rusisë, derisa paqja të etablohet njëherë e mirë.
Sa u përket garancive të sigurisë, Macron ka thënë se një aspekt kyç i sigurisë së Ukrainës është që ajo të ketë një ushtri të fortë dhe të pajisur mirë, pasi të konkludohet një marrëveshje armëpushimi.
Ai gjithashtu ka theksuar se angazhohet për formimin e forcave paqeruajtëse evropiane, për t’i dislokuar pasi të nënshkruhet marrëveshja e paqes. Ai ka thënë se qëllimi i forcës paqeruajtëse nuk është të veprojë në emër të Ukrainës, ose në vijën e frontit, por do të ngërthejë trupa nga vendet aleate evropiane.
Ai ka vazhduar të shpjegojë se për të garantuar sigurinë në Ukrainë, aleatët evropianë do të punojnë në planin afatgjatë për të parandaluar çdo agresioni të ardhshëm nga Rusia.
Scholz: Heqja e sanksioneve ndaj Rusisë do të ishte gabim i madh
Kancelari në largim i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka deklaruar gjatë një prononcimi para gazetarëve se mbështetja për Ukrainën ka për të vazhduar, teksa i ka bërë thirrje Rusisë që të pranojë armëpushimin e ofruar, raporton The Guardian.
Ai e ka kritikuar Moskën zyrtare, e cila sipas tij “gjithmonë shton kushte të reja” mbi çështjet që diskutohen.
Scholzi pas samitit të zhvilluar në Paris mes shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe disa prej vendeve anëtare të NATO-s, ka paralajmëruar se heqja e sanksioneve ndaj Rusisë, “do të ishte gabim i madh”, derisa bëri thirrje që ato të qëndrojnë siç janë si dhe të shtrëngohen.
“Nuk ka kuptim që t’u japim fund sanksioneve para se të arrihet marrëveshja e paqes”, ka thënë ai, megjithëse Scholzi ka theksuar se konsideron që arritja e një marrëveshjeje të tillë është larg horizontit.
Starmer thotë se Rusia po bën lojëra, jep sinjale për sanksione të reja
Kryeministri britanik, Keir Starmer, është prononcuar pas samitit të mbajtur në Paris, duke e kualifikuar atë si “shumë konstruktiv”.
Ai ka thënë se liderët janë pajtuar që ka nevojë për më shumë mbështetje për Ukrainën.
“Ne duhet të sigurohemi që Ukraina të jetë në pozitën më të fortë të mundshme, tani dhe në të ardhmen”, ka deklaruar Starmer.
Ai ka shtuar po ashtu se “ka qartësi të plotë se tani nuk është koha për t’i hequr sanksionet ndaj Rusisë. Përkundrazi, kemi diskutuar mbi mënyrën se si të rrisim sanksionet për të mbështetur iniciativën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për ta sjellë Rusinë në tavolinë përmes presionit prej këtij grupi të shteteve”.
Ai ka thënë se në takim janë diskutuar planet e mëtutjeshme “ushtarake dhe operacionale”, për të përkrahur çfarëdo armëpushimi dhe paqeje në Ukrainë, qoftë në tokë, ajër apo det”.
Përfundon takimi në Paris
Samiti i zhvilluar në Paris mes shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe po ashtu disa prej vendeve anëtare të NATO-s sapo ka përfunduar, pas më shumë se tre orësh diskutime, raportoi mediumi francez LeMonde.
Në mesin e liderëve që janë larguar nga pallati Elysse janë shefja e Komisionit Evropian, Ursula von Der Leyen, dhe kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz.
Kryeministri britanik, Keir Starmer, dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, janë parë të largohen së bashku, duke i përshëndetur gazetarë.
Sipas raportimeve, presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kryeministri Starmer pritet të mbajnë një konferencë për shtyp, në mënyrë që të prezantojnë përfundimet e samitit.
Liderët evropianë mblidhen në Paris për Ukrainën
Udhëheqësit evropianë po qëndrojnë në Paris për një samit të bashkëorganizuar nga presidenti francez, Emmaunuel Macron dhe kryeministri i Britanisë së Madhe, Sir Keir Starmer për të diskutuar luftën në Ukrainë.
"Koalicioni i vullnetit" i cili nuk përfshin SHBA-në, po përpiqet të krijojë një marrëveshje lidhur me mbështetjen që mund të ofrojnë vendet evropiane dhe vendet e tjera për të ruajtur një armëpushim të ardhshëm, nëse do të bihej dakord për të, raporton BBC.
Starmer pritet të deklarojë se "Evropa po rritet" për të mbrojtur të ardhmen e Ukrainës.
Edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky është në Paris për t'i bindur aleatët e tij që ta marrin seriozisht kërcënimin e Vladimir Putinit.
Në një intervistë me gazetarët të mërkurën, përfshirë redaktorin ndërkombëtar të BBC-së, Jeremy Bowen, ai ka thënë se shpresonte që SHBA-ja të "qëndronte e fortë" përballë kërkesave ruse për të hequr sanksionet si kusht për një armëpushim në Detin e Zi.
Moska zyrtare ka thënë se një armëpushim detar i shpallur të martën për të lejuar kalimin e sigurt për anijet tregtare do të fillonte vetëm pasi të hiqeshin kufizimet perëndimore mbi tregtinë e ushqimit dhe plehrave të Rusisë.