Botë

Liderët e BE-së pritet të mblidhen për ndarjen e posteve kryesore të bllokut

Ursula von der Leyen

Ursula von der Leyen

Foto: Associated Press

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian mblidhen në Bruksel të hënën në mbrëmje për të bërë një bilanc të rezultateve të fundit të zgjedhjeve evropiane, dhe për të filluar procesin e ngarkuar të ndarjes së posteve kryesore të bllokut.

Zgjedhjet e 6-9 qershorit bënë që Parlamenti Evropian të zhvendoset në të djathtë. Ato i dhanë goditje të mëdha partive qeverisëse pro-evropiane në Paris dhe Berlin. Motori franko-gjerman që zakonisht e shtyn përpara politikën e BE-së u dobësua, dhe dinamika e re mund të shfaqet në darkën joformale të 27 vendeve evropiane, raporton AP.

Gjatë ndarjes së komplikuar të pushteteve të BE-së, presidentët dhe kryeministrat duhet të emërojnë kreun e ardhshëm të degës së fuqishme ekzekutive të bllokut, Komisionin Evropian, i cili është përgjegjës për hartimin e politikës së BE-së për gjithçka, nga klima deri te buxheti kolosal i përbashkët.

Sipas traktateve të BE-së, zgjedhja e tyre duhet të marrë parasysh rezultatet e zgjedhjeve.

Konservatorja gjermane, Ursula von der Leyen duket se do të qëndrojë si presidente edhe për pesë vjet të tjera pas një paraqitjeje të fortë për grupin e saj parlamentar të Partisë Popullore Evropiane të qendrës së djathtë.

Në një intervistë me Welt TV të Gjermanisë të shtunën, kancelari gjerman Olaf Scholz ka thënë se "gjithçka tregon se mund të ketë një mandat të dytë në detyrë për Ursula von der Leyen".

Scholzi ka shtuar se beson se mund të bihet dakord "shpejt" lidhur me nominimet për postet kryesore.

Von der Leyen, e cila është në krye të BE-së që nga viti 2019, udhëhoqi një përpjekje të madhe gjatë pandemisë për të siguruar miliarda doza vaksinash COVID-19, ngriti një fond historik të rimëkëmbjes ekonomike pas pandemisë dhe, nga viti 2022, mbështeti Ukrainën në luftën e saj me Rusinë dhe i zgjati dorën Kievit për t'u bashkuar me bllokun.

Por asgjë nuk është e garantuar. Stili presidencial i Von der Leyen ka mërzitur disa herë kolegët e saj të komisionit dhe ajo duket e papëlqyeshme në disa qoshe të Parlamentit të BE-së, ku do të ketë nevojë për mbështetjen e 361 nga 720 ligjvënësit për të mbajtur postin e saj.

Postet e tjera të mëdha për t'u rrëmbyer janë ai i presidentit të Këshillit Evropian, i mbajtur nga centristi belg, Charles Michel, dhe shefi i politikës së Jashtme të BE-së, i zënë nga Josep Borrell i Spanjës nga qendra e majtë. Detyra e presidentit të këshillit është të ndërmjetësojë marrëveshjet midis 27 vendeve anëtare, ndërsa kryediplomati përfaqëson BE-në në skenën botërore.

Në Bruksel prej muajsh qarkullojnë emra për postet e mëdha. Ish-kryeministri socialist portugez, António Costa përmendet shpesh si president i Këshillit. Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, e njohur për qëndrimin e saj të ashpër ndaj Rusisë, është cilësuar si kryediplomatja e mundshme  bllokut.

Presidenti francez, Emmanual Macron ka thënë se qëllimi të hënës është “të përpiqemi të kemi një konsensus të shpejtë”.

Ai ka shtuar se ka mundësi që do të duhet të presin deri më 27-28 qershor, kur liderët takohen sërish në Bruksel për një samit zyrtar të BE-së.

“Këto diskutime po ndodhin me 27 prej nesh, kështu që ne kemi avancuar, disa prej nesh kemi telefonuar njëri-tjetrin dhe mendoj se është e mundur. Mendoj se është e mundur në ditët në vijim, ose në javën në vijim”, ka deklaruar Macroni.