Udhëheqësit evropianë dhe kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, kanë mbërritur të hënën në Kiev, në mbështetje të Ukrainës, në trevjetorin e fillimit të pushtimit rus.
Udhëheqësit janë duke zhvilluar një samit atje bashkë me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, ku po diskutojnë përpjekjet luftarake të Ukrainës, teksa presidenti i SHBA-së, Donald Trump ushtron presion mbi Zelenskyn, raporton BBC.
Për të shënuar përvjetorin, Zelensky ka përshëndetur "heroizmin absolut" të ukrainasve dhe "tri vjet rezistencë"
Tri vjet më parë, tanket ruse u futën në Ukrainë, përpara se forcat ruse të përpiqeshin të merrnin kryeqytetin, Kievin
Por ata u detyruan të kthehen dhe vijat e para të luftës u vendosën në Ukrainën lindore.
LEXO EDHE:
SHBA-ja dhe Ukraina gati ta finalizojnë marrëveshjen për mineralet
Zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Olha Stefanishyna, ka thënë se Ukraina dhe SHBA-ja janë në "fazën përfundimtare të negociatave" për një marrëveshje mineralesh.
Zelensky në fillim të këtij muaji ka hedhur poshtë një marrëveshje që do t'i jepte SHBA-së qasje në mineralet e Ukrainës, në këmbim të mbështetjes ushtarake të SHBA-së, raporton BBC.
Por në një postim në rrjetet sociale, Stefanishyna ka shkruar se ekipet ukrainase dhe amerikane janë në fazën përfundimtare të negociatave në lidhje me marrëveshjen për mineralet.
“Negociatat kanë qenë shumë konstruktive, me pothuajse të gjitha detajet kryesore të finalizuara. Ne jemi të përkushtuar që ta përfundojmë këtë me shpejtësi për të vazhduar me nënshkrimin e tij. Shpresojmë se liderët e SHBA-së dhe Ukrainës mund ta nënshkruajnë dhe ta miratojnë atë në Uashington sa më shpejt për të shfaqur angazhimin tonë për dekadat e ardhshme”, ka shkruar ajo.
Starmer: Rusia s’i ka të gjitha kartat e luftës në Ukrainë
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, ka thënë se “Rusia nuk i ka në dorë të gjitha kartat e luftës” në Ukrainë, gjatë një videolidhjeje në një samit që po mbahet në Kiev, me liderët evropianë, në tre-vjetorin e luftës.
Deklarata e tij vjen pak ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se Rusia “i ka kartat” në negociatat e paqes për Ukrainën, për shkak të territorit që ka kapur, raporton BBC.
Por Starmer ka këmbëngulur se kjo nuk është e vërtetë, pasi siç ka thënë "ukrainasit kanë guximin për të mbrojtur vendin e tyre" dhe për shkak se "ekonomia e Rusisë është në telashe...ata tani kanë humbur më të mirën e forcave të tyre tokësore dhe flotën e tyre të Detit të Zi në këtë pushtim të pakuptimtë".
Starmer megjithatë e ka pranuar se Trumpi "ka ndryshuar bisedën globale".
"Më vonë sot do të diskutoj hapat e mëtejshëm me G7...dhe jam i qartë se G7 duhet të jetë gati për të marrë më shumë rrezik”, është shprehur Starmer.
Starmer ka përsëritur gjithashtu gatishmërinë e Mbretërisë së Bashkuar për të vendosur trupa në terren në çdo armëpushim.
"Nëse Ukraina dështon, Evropa do të jetë e radhës”, ka thënë Starmer.
"Kjo është ajo që është në rrezik këtu. Kjo është arsyeja pse ne do të qëndrojmë gjithmonë me Ukrainën dhe me aleatët tanë”, ka shtuar ai.
Zelensky thotë se shkëmbimi i plotë i të burgosurve mund të fillojë procesin e paqes
Presidenti ukrains, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar të hënën në samitin në Kiev bashkë me liderët e BE-së dhe kryeministrin e Kanadasë, Justin Trudeau se një shkëmbim i plotë i të burgosurve të luftës me Rusinë mund të jetë "fillimi" i përfundimit të luftës.
Ka pasur 60 shkëmbime të burgosurish midis dy palëve që nga fillimi i luftës, duke përfshirë një në dhjetor që përfshinte qindra të burgosur të shkëmbyer, raporton BBC.
"Ky është opsioni i drejtë”, ka thënë Zelensky, duke vënë në dukje se ka mijëra ukrainas të arrestuar në Rusi, disa që janë mbajtur që nga pushtimi i Krimesë në vitin 2014.
"Rusia duhet t'i lërë të lirë ukrainasit. Ukraina është e gatshme të shkëmbejë të gjithë për të gjithë dhe ky është një opsion i drejtë”, ka shtuar ai.
Ukraina nuk publikon numrat e të burgosurve të luftës që mbahen nga Rusia, por totali mendohet të jetë më shumë se 8,000.
Zelensky ka paralajmëruar gjithashtu për çdo marrëveshje të negociuar me nxitim me Rusinë, duke thënë se paqja nuk mund të shpallet brenda një ore.
"Ne duhet të fitojmë paqen përmes forcës, mençurisë dhe unitetit, përmes bashkëpunimit tonë me ju (liderët në samit)."
Sipas tij, paqja e qëndrueshme do të funksionojë vetëm nëse Ukrainës i jepen "garanci të forta sigurie".